Këshillit të BE-së i dërgohet propozimi që kushtëzon anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen si kusht detyrues për Serbinë edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Flamuj të BE-së pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel.

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia kanë dorëzuar të premten Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok.

Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen si kusht detyrues për Serbinë edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burimet brenda BE-së.

Ky propozim u dorëzua dy ditë më vonë se afati që e kishin dhënë vendet anëtare në takimin e 12 dhjetorit të vitit të shkuar, kur kishin kërkuar që para fundit të muajit janar të këtij viti Komisioni dhe EEAS ta dorëzonin propozimin.

Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 për Serbinë vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha në dhjetor se vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.

Pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe aneksit për zbatimin e saj në Ohër në mars, Bashkimi Evropian kishte ngulur këmbë se këto marrëveshja janë ligjërisht obliguese për palët, pavarësisht se ato nuk janë nënshkruar.

Në rastin e Serbisë, sipas zyrtarëve të BE-së, zbatimi do të bëhet edhe formalisht obligues duke u përfshirë si kusht specifik në kornizën e bisedimeve të saj për anëtarësim në bllok.

Por, për më shumë se dhjetë muaj BE-ja nuk e kishte ndryshuar këtë kornizë. Prandaj, në konkluzionet që i nxorën nga takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, ministrat e vendeve anëtare kishin kërkuar që kjo të ndodhë sa më parë dhe Komisioni dhe EEAS ta bëjnë propozimin e tyre.

“Këshilli kërkon nga Komisioni dhe nga përfaqësuesi i lartë që urgjentisht, para fundit të janarit të vitit 2024, propozojnë dhe plotësojnë kushtet nga kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit për Serbinë” thuhej në këto konkluzione. Ato më vonë ishin mbështetur edhe nga shefat e shteteve anëtare në samitin e BE-së në Bruksel.

Kapitulli i 35 i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera” në rastin e Serbisë përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën. Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetorë të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian gjithmonë u ka dërguar porosi Beogradit dhe Prishtinës se rrugëtimi tyre drejt anëtarësimit në bllok kalon përmes përparimit në normalizimin e marrëdhënieve mes vete.

Këshilli i BE-së tani duhet ta votojë propozimin e Komisionit dhe EEAS për ndryshimin dhe plotësimin e kapitullin 35 për Serbinë.

Disa burime diplomatike brenda BE-së kanë thënë se vonesat në dorëzimin e propozimit ndodhën për shkak të disa kundërshtimeve që kishte bërë Oliver Verhelyi, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së. EEAS ishte më i interesuar që kjo të ndodhte sa më shpejt.

Kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars ishte arritur pajtimi për aneksin për zbatimin e Marrëveshjes bazë, mes tjerash ishte thënë se menjëherë pas kësaj marrëveshjeje do të niste puna për ndryshimin e kushteve në kapitullin 35 për bisedime me Serbinë, i cili do të përfshinte edhe detyrimin që ajo ta zbatonte Marrëveshjen dhe aneksin e saj.

Këmbëngulësia e vendeve anëtare që kjo të ndodhte sa më parë ishte bërë për ta përshpejtuar procesin, pasi disa diplomatë vlerësonin se Verhelyi po e zvarriste punën në këtë drejtim.

“Përkundër konkluzioneve të qarta nga dy dokumente nga niveli më i lartë i BE-së, Varhelyi qëndronte kundër dhe deri në momentin e fundit bllokonte këtë propozim”, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së.

Sipas të njëjtave burime, ndaj Verhelyit ishte bërë trysni nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe nga disa ende anëtare të bllokut. Në disa raste, diplomatët e BE-së kanë thënë se Varhelyi po e ndjek qëndrimin e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, i cili edhe e kishte propozuar që ai të jetë komisionar nga ky shtet në ekzekutivin e Bashkimit Evropian.

Ndaj Varhelyit kritika kishte shprehur edhe Parlamenti Evropian. Në një rezolutë nga muaji janar i vitit 2023 ishte kërkuar edhe një hetim i paanshëm për mënyrën se si ushtron postin e tij Verhelyi, sepse parlamentarët evropianë dyshonin se ai po i shkelte rregullat etike të Komisionit Evropian.

Vendimi për ndryshime në kapitullin 35 për Serbinë, sikur secili vendim në procesin e zgjerimit të BE-së, miratohet me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.

Ndërkohë, në rastin e Kosovës, detyrimet për zbatimin e marrëveshjeve me Serinë do të përfshihen në agjendën e grupit të posaçëm për normalizim, pasi Kosova nuk e ka akoma statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

BE-ja ngul këmbë se deklarata e përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për pajtimin rreth marrëveshjes ka fuqinë e një marrëveshje ligjërisht obliguese, edhe pse ajo nuk është nënshkruar.

BE-ja vazhdon të pohojë se është e zhgënjyer se asnjëra palë deri tash nuk ka bërë përparim të duhur në zbatimin e obligimeve./REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika