Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati, i cili është gjuajtur me miell nga Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD).
Ky aksion nga ana e tij, është quajtur një veprim i dhunshëm, i neveritshëm dhe me plot urrejtje.
“Ky aksion është asgjë më shumë se një veprim huligan, i neveritshëm dhe me plot urrejtje”, ka deklaruar Zulfaj, në një postim në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, të sulmosh ministrin Murati në emër të punëtorëve ditën kur ai lajmëron ndihmë financiare, qindra milionë euro për të gjithë punëtorët, tregon krizën e thellë të mungesës së parimeve ndaj atyre që e sulmuan.
“Të sulmosh ministrin, Hekuran Murati në emër të punëtorëve, ditën kur ai lajmëron ndihmë financiare qindra milionë euro për të gjithë punëtorët tregon krizën e thellë të mungesës së parimeve, ideve dhe të kauzës të atyre që e sulmuan”, është shprehur Zulfaj.

Po ashtu, edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka mbështetur ministrin Murati, duke thënë se buzëqeshja e tij është integriteti i tij moral e profesional, pasi zemrat e të sulmuesve meritojnë shërim.

“I heq kapelën ministrit Murati, buzëqeshja e tij është integriteti i tij moral e profesional. Është përgjigjja e të dinjitetshmit ndaj kamikazit politik. Për ju kemi vetëm buzëqeshje. Edhe zemrat tuaja plot helm meritojnë shërim”, është shprehur ministri Çeku, në rrjetin social Facebook.
Pra, gjatë ditës së shtunë ministri Murati është gjuajtur me miell si rrjedhojë i një aksioni simbolik nga PSD-ja.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka postuar një video përgjatë të cilës shihen dy persona, përkatësisht aktivistët e kësaj partie, Nol Nushi dhe Zgjim Hyseni duke hedhur miell drejt Ministrit Murati e njëherësh, Hyseni dëgjohet duke thënë “Kjo është për punëtorët”.
“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, ka shkruar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në postimin në rrjetin social Facebook, ku edhe i është bashkangjitur videoja e aksionit.

Para kësaj ngjarjeje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati kanë mbajtur një konferencë të përbashkët në të cilën kanë prezantuar pakon për përballje të rritjes së inflacionit.
Kurti ka njoftuar se nga shtatori do të subvencionohen të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike.
Ndërkaq, ministri Murati ka thënë se do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë dhe do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Po ashtu, nga kjo pako pritet të fitojnë edhe familjet me asistencë si dhe studentët.