Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 12 tetorit do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për raportin e Dick Marty-t në lidhje me akuzat e trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
“Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur…”, kështu e ka paralajmëruar kryeministri fjalimin e tij në Këshill të Evropës.
Në fotografinë e publikuar në Facebook nga Rama, shfaqen pamje të refugjatëve të cilët kanë ikur nga gjenocidi i aparatit shtetëror të Serbisë.
Po ashtu, më 24 shtator, i pari i qeverisë së Shqipërisë, Rama në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB) ka thënë se Gjykata Speciale është themeluar mbi raportin e Marty-t.
Më 13 gusht, Rama bëri me dije se Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, raporton Euro News Albania.
Ndërsa, pak muaj më parë, 125 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë votuan pro rezolutës që rrëzon raportin e Dick Marty-t.
Ky raport më pas iu përcoll zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Marty ka pretenduar se trafikimin e kanë kryer pjesëtarë të UÇK-së ndaj shtetasve serbë dhe kosovarë në veri të Shqipërisë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999.
Rama me fjalim për Thaçin në OKB: Fantazi e plotë raporti i Dick Marty-it