Gjigandi i shitjeve në internet, “Amazon” ka bërë të ditur se planifikon të krijojë më shumë se 4000 vende pune në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit, transmeton “BBC“.
Amazon ka thënë se do të rekrutojë 4000 punëtorë në Britani këtë vit, përfshirë qendrat e saj në Wakefield dhe Knowsley, duke e rritur fuqinë e saj të punës në 75,000 puntorë dhe njëherësh, duke e bërë atë një nga 10 punëdhënësit kryesorë të vendit në sektorin privat.
Kjo rritje e numrit të punojësve vjen pasi kompania krijoi 2,500 vende pune në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2021 pasi pandemia Covid-19 nxiti një rritje të blerjeve në internet.
Amazon hapi gjithashtu katër depo të reja në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2021.
Njerëzit po blinin më shumë në internet përpara pandemisë, por bllokimet dhe kufizimet e Covid-19 i dhanë një shtysë, duke përfshirë dërgesat në shtëpi përmes internetit.
“Ne po vazhdojmë të investojmë në talente në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, nga praktikantët në Swansea te shkencëtarët e të dhënave në Edinburg”, ka thënë John Boumphrey, menaxher i Amazon në Mbretërinë e Bashkuar.
Në të kaluarën, kompania është përballur me kritika për kushtet e punës për punonjësit e saj.
Kompania shtoi se vlerëson se më shumë se 85,000 biznese të vogla dhe të mesme britanike shesin në Amazon, të cilat “mbështesin 250,000 vende pune shtesë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”.
“Kjo do të thotë se Amazon do të ketë krijuar 40,000 vende të reja pune në Mbretërinë e Bashkuar në tre vitet e fundit,” ka thënë kompania.
“Amazon ka investuar miliarda paund në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke i mundësuar asaj të jetë një nga krijuesit më të rëndësishëm të vendeve të punës në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit”, thekson Amazon.
Amazon është një kompani amerikane e teknologjisë e cila fokusohet në tregtinë elektronike. Ajo është cilësuar si “një nga forcat ekonomike dhe kulturore më me ndikim në botë”.