Disa lule të vendosura pak ditë më parë nga kryeministri Albin Kurti, janë shenja e vetme që tregojnë se këtu në Zupç të Zubin Potokut, vite më parë ka ndërruar jetë në krye të detyrës, një polic i Kosovës.
Vizita e Kurtit në vendin ku ndërroi jetë heroi Enver Zymberi, duket se e ka zemëruar dikë.
Dikush që e quan veten “Brigada e Veriut” la mëngjesin e së premtes një simbol, pikërisht aty ku ishin të vendosura lulet.
Mesazhi ishte: “Ne jemi këtu”, simbol ky i cili është larguar gjatë ditës nga Policia e Kosovës.
Të ashtuquajturën “Brigadë e Veriut”, e ka zemëruar edhe një veprim tjetër i autoriteteve kosovare.
Patrullimi në vijën kufitare përgjatë Liqenit të Ujmanit, ka nxitur madje edhe reagimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Në fakt, sot i ashtuquajturi ministër i tyre i brendshëm njoftoi se ata e kontrollojnë plotësisht liqenin e Gazivodës. Gjë që do të nënkuptonte shkelje të re të marrëveshjes së Brukselit, sepse sipas marrëveshjes, policia në veri duhet t’i takoj Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty. Por, atyre me të vërtetë nuk u intereson gjithë kjo”, ka deklaruar Vuçiq.
Një reagim më i ashpër se ky i Vuçiq, u lëshua gjatë ditës nga Lista Serbe.
Ata patrullimet e Policisë së Kosovës në Ujman, i konsiderojnë si përpjekje për ta frikësuar dhe pushtuar popullin serb.
Të premten, patrulla ujore nuk u pa në liqe.
Para dy javësh, pjesëtarët e Policisë teksa po kryenin disa testime të patrullimit, u sulmuan me armë zjarri nga disa persona.
Nga e gjithë kjo ndodhi, asnjë zyrtar nuk u lëndua.
E ky patrullim në liqenin e Ujmanit, eksperti i sigurisë Bedri Elezi vlerëson se po bëhet në dakordim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Meqë kemi disa ditë që këto aktivitete janë prezente në zonën në fjalë, unë edhe dua të besoj se ka një marrëvëshje, ka një dakordim dhe ka një siguri nga qeveria amerikane që këto sulme të mos ndodhin”, ka deklaruar Elezi.
Të premten, rrugës që dërgon në Bërnjak janë parë duke patrulluar edhe disa vetura të Njësive Speciale të Kosovës.
E njësitet e KFOR-it, po vazhdojnë të qëndrojnë të stacionuar në disa pika në veri të Kosovës.