KFOR dënon incidentin në Zveçan

Trupat e KFOR-it në veri të Kosovës. Foto Reuters

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dënuar incidentin e 10 prillit në Zveçan, ku mbeti i plagosur një pjesëtar i komunitetit serb, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kryejnë hetim për këtë ngjarje dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

“KFOR po vazhdon të monitorojë situatën dhe është krejtësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, u tha në deklaratën e misionit në Kosovë të aleancës ushtarake perëndimore.

Më 11 prill, Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar katër zyrtarë policorë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast, përfshirë edhe njërin që dyshohet se mund të ketë shtënë me armë zjarri.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se sipas hetimeve të para, serbit që u plagos, policët i kishin dhënë sinjalin që të ndalonte, por ai me veturën e tij kishte vazhduar në drejtim të Zveçanit.

“Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës, ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.”, ka thënë Sveçla më 11 prill, përmes një postimi në Facebook.

Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë rast.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij për këtë rast dhe u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të zhvillojnë hetime të besueshme.

Plagosjen e pjesëtarit të komunitetit serb e kanë dënuar anëtarët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Po ashtu, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka reaguar duke e cilësuar si sulm të kryer nga Policia e Kosovës.

Katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe. Kjo pjesë e vendit shpesh është vatër e tensioneve.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika