Trupat e KFOR-it kanë blinduar objektin e komunës së Leposaviqit, ndërsa njësitet speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë brenda kësaj zone.
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in, vazhdojnë të qëndrojnë para objektit të komunës.
Siç njofton ekipi në terren i RTV Dukagjinit, para objekteve të katër komunave në veri janë forca të shtuara të KFOR-it.
Grupe qytetarësh serbë tashmë janë mbledhur para ndërtesës së komunës në Leposaviq, për të kundërshtuar marrjen e pushtetit lokal nga kryetari i ri shqiptar, Lulzim Hetemi.

Misioni i paqes i NATO-s në Kosovë ka vendosur të shtojë praninë e forcave të tyre pranë hyrjes në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur ekipi i RTV Dukagjinit, i cili ndodhet në terren, ndërsa ky vendim vjen pas rritjes së tensioneve dhe incidenteve të fundit në këtë zonë.
Kujtojmë se situata vazhdon të jetë e tensionuar, pas vendosjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Gazetarët në terren dhe portali Dukagjini do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet e mëtejshme dhe reagimet lokale dhe ndërkombëtare, lidhur me këtë ndryshim të pranisë së KFOR-it në këto komuna.