Në prag të zgjedhjeve të nëntë shkurtit pos mobilizimit të madh të partive politike për të bërë fushatë, mobilizim po bën edhe një mision shumë i rëndësishëm në Kosovë.
Bëhet fjalë për misionin paqeruajtës të NATO-së, KFOR-in të cilët njoftuan që përkohësisht në Kosovë kanë arritur 200 trupa të KFOR-it italianë dhe do të përgjigjën ndaj çdo zhvillimi në situatën e sigurisë edhe gjatë periudhës zgjedhore.
Sipas zv.drejtorit të Policisë në veri, Veton Elshani ky vendim është në të mirë të policisë, sidomos në zonën kufitare me Serbinë.
Veton Elshani – Zv.Drejtor i Policisë në Veri deklaroi se “Vendimi i partnerëve tonë që të shtojnë numrat është vendim i tyre sidoqoftë është me rëndësi për neve që kemi numër të madh të KFOR-it dhe pjesëtarëve të tyre dhe si partneritet që kemi sidomos për zonën kufitare për neve me benefit dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë aq sa mundemi”
Kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës Veriore tha se kjo është e rëndësishme sepse beson që mund të ketë tensionim të situatës së sigurisë para zgjedhjeve.
Nexhat Ugljanin – Kryesues i Kuvendit në Mitrovicën Veriore tha se “Para datës së zgjedhjeve sigurisht do të tentohet nga ana e një shteti sic është Serbia që po përballet me situatat studentore dhe sigurisht do të mundohet në cdo moment të bëj ndonjë ekses apo eskalim të situatës me përdorë pjesën veriore”
KFOR- po ashtu kanë thënë se brigada italiane e këmbësorisë “Sassari”, do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh në ditët në vijim.