KFOR-i ka mirëpritur vendimin për reduktimin e Policisë rreth objekteve komunale në veri.
Përmes një komunikate, KFOR-i ka thënë se vendimi i marrë në një takim teknik të mbajtur nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, është një hap i rëndësishëm drejt depërshkallëzimit të tensioneve dhe promovimit të dialogut.
KFOR-i ka thënë se pajtohet që në këtë drejtim ka pasur një përmirësim në situatën e sigurisë në zonë.
“Në këtë drejtim, KFOR-i pajtohet se ka pasur një përmirësim në situatën e sigurisë në zonë, por a është e rëndësishme të sqarohet se pikëpamja jonë nuk është rezultat i një aktiviteti të përbashkët vlerësimi”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Sipas KFOR-it, një vlerësim i përbashkët është një procedurë e ndryshme që kërkon veprime specifike, disponueshmëri të të dhënave dhe vlerësime sistematike në të cilat roli i KFOR-it, siç është rënë dakord ndërmjet NATO-s dhe BE-së, duhet të konsiderohet vetëm si i përshtatshëm dhe t’i nënshtrohet miratimit të komandant i KFOR-it.
Tutje, në këtë komunikatë thuhet se misioni i KFOR-it mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë”.
Këtë të premte, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka reduktuar edhe për 25 për qind numrin e pjesëtarëve të saj në dhe rreth objekteve komunale në veri.
Kështu ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani.
Lexo dhe: Tërhiqet edhe 25 për qind e pranisë policore në objektet komunale në veri
Kjo ishte të enjten pas një takimi në mes të policisë me EULEX-in dhe KFOR-in.
Përmes një komunikate për media, policia kishte thënë se nga ky takim i mbajtur është vlerësuar se situata në veri është e mirë.