Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Sipas një njoftimi për media, stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe “konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”, raporton REL.
Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur se më 16 dhjetor, e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor, në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë të banuara me shumicë serbe.
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.
Së fundi, autoritetet serbe i kanë dërguar kërkesë KFOR-it për angazhimin e deri në 1.000 pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Misioni i NATO-s e ka konfirmuar pranimin e kërkesës dhe ka thënë se është “duke e shqyrtuar atë”.