KFOR-i thotë se s’ka “listë të zezë” me emrat e zyrtarëve që u ndalohet hyrja në Leposaviq

KFOR-i ka mohuar raportimet për ndalesa ndaj zyrtarëve kosovarë në veri, duke theksuar se nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes dhe ka bërë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të krijojnë tensione

Pjesëtarë të KFOR-it në Jarinjë, veriu i Kosovës.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka hedhur poshtë raportimet se kinse ky mision ka futur në listë të zezë disa zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ua ka ndaluar hyrjen në objektin e Komunës së Leposaviqit.

“KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve në Kosovë. KFOR-i mban kontakte të rregullta me të gjitha palët kryesore”.

Misioni u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme qe mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe mund të ndikojnë në stabilitetin rajonal.

KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë dhe është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Raportime të ngjashme për kinse ndalesë të vendosur nga KFOR-i për hyrjen e zyrtarëve të Kosovës në institucione të veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – ka pasur disa herë brenda vitit.

Më herët gjatë javës, ambasadori amerikan në shkuarje në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se aktorë të huaj keqdashës synojnë ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndasitë etnike.

Edhe Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i ka thënë Radios Evropa e Lirë këtë javë se fushatat dezinformuese shpërndahen qëllimshëm në Kosovë për t’i tensionuar marrëdhëniet ndëretnike.

“Kemi fushata që kanë për qëllim të krijojnë mosbesim – sidomos në mesin e komunitetit serb – ndaj institucioneve publike në Kosovë dhe që synojnë të krijojnë një lloj perceptimi sikur në veri [të Kosovës] e kemi një situatë represioni të vazhdueshëm ndaj qytetarëve atje”.

Më herët gjatë javës në Prishtinë është mbajtur një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington.

Mes tjerash, në të është thënë se dezinformatat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejt në shoqëri, sidomos në kohë zgjedhjesh.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 9 shkurt të vitit tjetër./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika