Forcat e KFOR-it turk janë pozicionuar në komunën e Zubin Potokut, të enjten.
Ekipi i RTV Dukagjini, i cili po raporton nga vendi i ngjarjes, bën të ditur se para objektit të komunës po qëndrojnë dhjetëra protestues, gjersa sot ka më pak forca të Policisë së Kosovës prezent.
Aktualisht, situata është e qetë.
Më herët të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të pakuptimtë mosreagimin e KFOR-it lidhur me kidnapimin e tre policëve nga forcat serbe.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti ka thënë se “kjo mund edhe të jetë shkelje e Rezolutës 1244”, por kjo sipas tij do të duhej t’i adresohej komandantit të KFOR-it.
Megjithatë, ai theksoi se të gjitha faktet i posedon edhe KFOR-i.
“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, ne me partnerët tanë i ndajmë informatat, por heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as deeskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare”.
“Mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244, por është komandanti i përgjithshëm i KFOR-it i cili për çdo deklaratë e përmend këtë rezolutë, kjo pyetje duhet t’i bëhet atij, meqë ai në deklaratat e KFOR-it e ka shpeshtuar përmendjen e Rezolutës 1244, ndërkaq ne e konsiderojmë Kushtetutën e vendit dhe ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësi e jona”, shtoi ai.
Kurti ka njoftuar se mbrëmjen e së mërkurës ka zhvilluar bisedë me emisarin special amerikan, Gabriel Escobar dhe ambasadorin Jeff Hovenier.
Ndryshe, të mërkurën janë kidnapuar tre policë të Kosovës nga forcat policore serbe.
Protestat në Kosovë kanë vazhduar që nga zgjedhja e kryetarëve të rinj të komunave në veri.