Misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë ka bërë të ditur se janë duke i kryer disa operacione në veri të Kosovës për ta mundësuar në tërësi lëvizjen e lirë.
Në njoftimin e tyre thuhet se janë duke i larguar disa automjete të bllokuara në rrugë dhe se kjo është në përputhje me mandatin e tyre të OKB-së.
Pas heqjes së barrikadave në Veri të Kosovës, kanë mbetur dy kamionë të djegur të cilët ishin vendosur në Zveçan te vendi i njohur si “Shkëmbi i Dudës”, të cilët pritet të largohen nga KFOR-i këtë të martë.
“Misioni i KFOR-it po kryen operacione inxhinierike në veri të Kosovës për të hequr disa automjete të bllokuara në rrugë dhe për të rikthyer lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhet në njoftim.
Pak ditë para Vitit të Ri, më 29 dhjetor të 2022-tës, barrikadat e vendosura nga serbët lokalë janë larguar.
Barrikadat ishin vendosur për shkak të arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili po mbahej në paraburgim si i dyshuar për kryerjen e veprave terroriste.
Pas zbutjes së masës së tij në arrest shtëpiak, u larguan edhe barrikadat.
Ato kishin qëndruar në veri për më shumë se dy javë.