Në sirtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që nga nëntori i vitit 2022, vazhdojnë të qëndrojnë dorëheqjet e dorëzuara të shumë gjyqtarëve serbë.
Pjesa dërmuese e tyre, janë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Këshilli Gjyqësor akoma nuk ka vendosur nëse do t’i pranoj ato, apo nëse do t’ua ofroj mundësinë këtyre gjyqtarëve që të rikthehen në punë.
Për këtë çështje, KGJK-ja nuk i është përgjigjur televizionit gjatë ditës.
“Në rastin konkret unë mendoj që më shumë ka politikë sesa ndonjë qëndrim të qartë. Është dashtë të marrë masa. Masat janë ato që zhvillohet procedura diciplinore nëse këta gjyqtarë ose kanë dhënë dorëheqje ose faktikisht kanë munguar në punë”, tha Hasan Shala, ish – kryetar i Gjykatës së Apelit.
Hasan Shala që për disa vite udhëhoqi gjykatën e Apelit, thotë se megjithatë, situata ka ndryshuar kohëve të fundit.
“Tash besoj që tash komuniteti serb veç kanë fillur të binden në zbatimin e ligjit dhe kushtetutës dhe besoj që do të kthehen dhe nëse kthehen do të ishte më e lehtë edhe për Këshillin Gjyqësor që të mos i dërgoj në trajnim dhe të paguhen për çdo muaj ata me pagën e gjyqtarit dhe të mos bëjnë asgjë”, tha Shala.
Gjithë kjo situatë, më së shumti problem po u shkakton palëve që kanë punë në themeloren e Mitrovicës.
“Unë mendoj që KGJK-ja nuk duhet të luaj rolin e ndërmjetësuesit të politikës. Dhe si një organ i pavarur dhe profesional, nuk mund të pres urdhër nga politika, se si duhet të vendosë dhe të procedoj me çështjen konkrete”, tha Musa Damati, avokat.
Për të shmangur mbingarkesën me lëndë, KGJK-ja i ka transferuar disa lëndë nëpër gjykata të tjera.
Për cka avokati Musa Damati, thotë se kjo ua ka vështirësuar punën.
“Gjykata Themelore e Mitrovicës vepron në ekzil në raste të tilla, duke i deleguar lëndët. Dhe kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk duhet të ndodhë, për shkak se nuk mund të bartet kompetenca territoriale tek një gjykatë tjetër për shkak të rrethanave kaotike të krijuara në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha Damati.
Në gusht të vitit të kaluar, KGJK-ja i propozoi Presidentes shkarkimin e kryetares së gjykatës Themelore të Mitrovicës, Ljiljana Stevanovic dhe udhëheqësit të Divizionit të Apelit në mitrovicë, Nikolla Kabashiç.
Vendimi u konfirmua, pasi nuk kishte ndonjë ankesë në Gjykatën Supreme.