“Nga dje, nuk ka më agresor në tavolinë me BE-në. Serbia u rrëfye, dhe u fal”.
Kështu ka deklaruar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili në lidhje me takimin që u mbajt në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ajo ka thënë se në plani evropian përmban pikat ku thuhet “Ta tejkalojmë trashëgiminë e të kaluarës”.
“Pra, e falë Serbinë. Ja fal vrasjet, dhunimet, shkatërrimet dhe të pagjeturit. Janë pajtuar të harrojnë! “Nuk paragjykohet statusi” – thotë në vazhdim. Pra, u rihap statusi i Kosovës të cilën GJND e vulosi si të mbyllur. Neni 7, flet për njëetnicitet të serbëve në vet-menaxhim. NJËETNICITET. Përtej Asociacionit, kanë dhënë Autonomi shtesë një-etnike.
Neni 10, flet për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara. Por, tanimë Asociacionit në përputhje me Vendim të Gjykatës Kushtetuese, iu bashkangjit Neni 7”, ka shkruar Kica-Xhelili në Facebook.
Ndryshe, Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ku theksohet se Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por që nënshkrimi është refuzuar nga Serbia.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.
“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.