Udhëheqësi komunist i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, thotë se ka ardhur koha për ta përcaktuar Korenë e Jugut si shtetin “më armiqësor” ndaj vendit të tij, njoftoi të mërkurën KCNA, agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit.
Udhëheqësi Kim e akuzoi gjithashtu Seulin për nxitje të konfrontimit dhe garës së armatimeve, ndërsa bëri thirrje për të shtuar aftësitë ushtarake të vendit të tij për vetëmbrojtje dhe parandalimin e luftës bërthamore, tha media shtetërore e Koresë së Veriut.
Ai i bëri komentet gjatë një vizite në fabrikat e armëve në fillim të javës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Udhëheqësi komunist e cilësoi përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy Koreve si një “fazë të re ndryshimi” dhe “realitet i pashmangshëm”.
“Në asnjë mënyrë ne nuk do të veprojmë në mënyrë të njëashme për të sjellë një ngjarje të madhe me fuqi dërrmuese në Gadishullin Korean, por nuk kemi asnjë synim që të shmangim një luftë”, citohet të ketë thënë udhëheqësi koreanoverior.
Në fjalimin drejtuar partisë gjatë takimit të fundvitit muajin e kaluar, udhëheqësi Kim tha se ribashkimi paqësor është i pamundur, duke shtuar se qeveria do të bënte ndryshime vendimtare të politikave lidhur me Korenë e Jugut./VOA