Kina regjistron rënien më të madhe në eksporte që nga viti 2020

Gjatë muajit korrik, Kina ka shënuar rënien më të madhe në eksporte për më shumë se tre vjet, sipas të dhënave zyrtare të publikuara më 8 gusht

Muajin e kaluar, Kina ka shënuar rënien më të madhe në eksporte për më shumë se tre vjet, sipas të dhënave zyrtare të publikuara më 8 gusht. Ky njoftim vjen në kohën kur ekonomia e dytë më e madhe në botë është goditur nga kërkesa e ngadaltë globale dhe nga një ngadalësim vendor.

Këto të dhëna ka të ngjarë të rrisin thirrjet për liderët që të bëjnë më shumë për të ringjallur rritjen ekonomike, pasi autoritetet javëve të fundit kanë vendosur disa masa stimuluese që përqendrohen te konsumatorët dhe te sektori i trazuar i pronave.

Shitjet e produkteve kineze në tregjet e huaja ranë për 14.5 për qind në krahasim me vitin e kaluar, u tha në të dhënat e autoritetit doganor. Kjo është rënia e tretë radhazi e eksporteve kineze.

Rënia e eksporteve është më e madhe sesa pritej dhe më e rënda që prej rënies prej 17.2 për qind në janar-shkurt 2020, kur ekonomia u godit në javët e para të shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Përveç një rritjeje të shkurtër në mars dhe prill, eksportet kanë qenë në rënie të vazhdueshme që nga tetori.

Kërcënimi nga recesioni në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, së bashku me inflacionin e lartë, kanë kontribuuar në dobësimin e kërkesës ndërkombëtare për produktet kineze në muajt e fundit.

Eksportet kanë rënë për 12.4 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Dërgesat për në Bashkimin Evropian në shtatë muajt e parë të vitit kanë qenë 288.9 miliardë dollarë, apo 2.6 për qind më të ulëta, u tha në njoftimin e autoritetit të doganave.

Ndërkaq, importet janë tkurrur për 12.4 për qind, për muajin e nëntë me radhë.

“Shifrat e tregtisë së Kinës për muajin qershor janë sërish zhgënjyese”, tha Ken Cheung Kin Tai, analist në Bankën Mizuho.

Shifrat e fundit të tregtisë janë treguesi i fundit se rimëkëmbja e Kinës pas pandemisë ka mbaruar.

Ekonomia u rrit vetëm për 0.8 për qind në periudhën prill-qershor, ndërkaq papunësia në mesin e të rinjve arriti në shifër rekord prej më shumë se 20 për qind.

Sektori i pronave vazhdon të jetë i trazuar, me zhvilluesit e mëdhenj që po dështojnë të përfundojnë projektet për ndërtimin e shtëpive, që kanë nxitur protesta dhe bojkotim të pagesave të hipotekave nga personat që kanë blerë shtëpi.

Muajin e kaluar, Këshilli Shtetëror i Kinës publikoi një plan prej 20 pikash për rritjen e konsumit të përgjithshëm, përfshirë strehimin, kulturën dhe turizmin, por edhe konsumin e gjelbër, sikurse janë automjetet elektrike.

Banka Qendrore, po ashtu, në javët e fundit ka ulur disa norma të interesit në përpjekje për të ringjallur ekonominë.

Megjithatë analistët kanë paralajmëruar se rritja e borxhit të Qeverisë vendore dhe vendosmëria e zyrtarëve që ta vendosin vendin në një trajektore të rritjes së qëndrueshme ekonomike, nënkupton se masat e ndërmarra më herët nuk do të merren sërish.

Pekini synon që të regjistrojë një rritje prej 5 për qind gjatë këtij viti, që përbën një prej synimeve më të ulëta që ky shtet aziatik ka vendosur për dekada të tëra./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika