Kina zgjedh kryeministër aleatin e Xi Jinping

Li Qiang është zgjedhur zyrtarisht nga parlamenti si kryeministër i ri i Kinës, duke u bërë zyrtari i dytë më i lartë në sistemin politik të vendit

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, shtrëngon duart me kryeministrin e sapozgjedhur, Li Qiang, gjatë seancës së katërt plenare të Kongresit Kombëtar Popullor në Pekin. 11 mars 2023. Foto: Reuters

Li Qiang është zgjedhur zyrtarisht nga parlamenti si kryeministër i ri i Kinës, duke u bërë zyrtari i dytë më i lartë në sistemin politik të vendit.

Ish-udhëheqësi i Partisë Komuniste të qytetit më të madh të vendit, Shangait, do të udhëheqë Qeverinë, duke zëvendësuar Li Keqiang, i cili doli në pension. Ai mori pothuajse të gjitha votat e më shumë se 2 mijë e 900 delegatëve të Kongresit Kombëtar Popullor (NPC).

Kryeministri i ri i Kinës është aleat i ngushtë i presidentit kinez, Xi Jinping, të cilët kanë punuar së bashku.

Gjithashtu, të premten Xi Jinping iu dha mandati i tretë pesëvjeçar si president i Kinës.

Vota për të në Kongresin Kombëtar Popullor në Pekin ishte unanime, me 2 mijë e 952 pro dhe asnjë kundër. Anëtarët e këtij Kongresi emërohen nga partia në pushtet.

Xi, 69 vjeçar, e kishte emëruar vetën për një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në tetor, duke thyer një traditë sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzojnë pushtetin një herë në dekadë.

Një kufi i vendosur për dy mandate për presidencën e Kinës është fshirë nga Kushtetuta kineze më herët, duke nxitur sugjerime se ai mund të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.

Mandati i ri i Xi dhe emërimi i njerëzve të afërt me të në postet kryesore nënvizon monopolin e tij mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtar të mundshëm ndaj agjendës së tij tepër nacionaliste për ndërtimin e Kinës si rivali më i lartë politik, ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe sfiduesit më të madh të rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni. REL

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika