Në një studim të publikuar nga Instituti i Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) theksohet se Rusia nuk e sheh të izoluar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pasi që ka synime gjeopolitike në rajonin e Ballkanit dhe për pengimin e integrimit të rajonit në institucionet euro-atlantike.
Raporti me titull “Ndikimi i Rusisë në Dialogun Kosovë-Serbi”, thekson se Rusia nuk dëshiron që dialogu të përfundojë me sukses dhe në pajtim me projektet e vendeve perëndimore.
“Mungesa e unanimitetit përbrenda komunitetit euro-atlantik ndaj Kosovës, me pesë vende të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka krijuar më shumë hapësirë manovruese për Rusinë për t’i penguar përpjekjet perëndimore dhe për t’u angazhuar me këmbëngulje në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe për destabilizimin e rajonit”, thuhet në studim.
Sipas studimit, Rusia e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, synon të rrënojë themelet e shtetësisë së saj, t’i zhvlerësojë politikat perëndimore ndaj dialogut Kosovë–Serbi dhe ta zhvendos mundësisht dialogun në Kombet e Bashkuara.
“Kjo e nënkupton ri-fitimin e drejtpërdrejtë të një roli aktiv të Moskës në këtë proces. Ta forcojnë rolin e Rusisë në Ballkan, dhe posaçërisht përmes mbajtjes së ndikimit rus në Serbi, dhe në mesin e aktorëve anti perëndimorë në rajon. Të grumbullojë përfitime në Ukrainë dhe në Gjeorgji, përmes politikave transaksioniste në të cilat Kosova do të përdoret si një monedhë shkëmbimi”, thekson studimi i Institutit Kipred.
Sipas studimit , që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011, Moska zyrtare është përpjekur në disa raste të gërryej rolin e Bashkimit Evropian në lehtësimin e tyre dhe ka shprehur mbështetje të vazhdueshme për Serbinë.
“Ballkani mbetet e vetmja hapësirë gjeopolitike e Evropës që nuk është e integruar në tërësi në strukturat perëndimore dhe që ende e ka një potencial të heshtur destabilizues për tërë arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Në këtë sfond, agresioni ushtarak që Putini e ka nisur kundër Ukrainës e ka shkaktuar një tendosje të pashembullt midis Federatës Ruse me SHBA-të dhe vendet e mëdha evropiane. Ndërkaq, ndezja e një rivaliteti kaq të fuqishëm midis Rusisë dhe fuqive perëndimore pashmangshëm e ka një pasqyrim tejet të madh edhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në studim.
Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, mirëpo është përfshirë në dialog për noromalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën./VOA
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan një vit më parë për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por pa nënshkrim të saj. Në marrëveshje nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.