Statusi i Kishës Ortodokse Serbe është hija që politikës kosovare i është rikthyer përsëri në dritë.
Kërkesa e BE-së që të miratohet Projektligji për Liritë Fetare, në sytë e profesorit Milazim Krasniqi, është tallja e radhës që po i bëhet Qeverisë, e cila sipas tij e ka pranuar edhe imponimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe edhe në marrëveshjen bazike.
“Kështu e ka Kroacia, nga viti 2003, Kroacia e ka marrëveshjen themeltare me Kishën Ortodokse ku parashikohen të gjitha veprimtaritë, të gjitha të drejtat, veprimtaria botuese, arsimore, zgjedhjet, të gjitha këto deri te sanksionimet e zyrtarëve të Kishës dhe ky është raporti i shtetit me kishën, pra jo me Serbinë”, ka deklaruar profesor Krasniqi.
Në anën tjetër, historianët insistojnë që Kisha Ortodokse Serbe të mos gëzojë as status të veçantë e as të drejta më shumë sesa bashkësitë tjera fetare, edhe për shkak të së kaluarës.
“Është e argumentuar se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë bekuesja e politikës gjenocidiale të cilën e ka realizuar Millosheviqi gjatë luftës në Kosovë, dhe në të gjitha etapat historike, qoftë nga viti 1912 nga koha kur nisin luftërat Ballkanike dhe Kosova do të pushtohet nga forcat serbe deri në ditët e sotme, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë infuzioni kryesor i politikës dhe i Akademisë së Shkencave të Serbisë”, ka theksuar Shkodran Imeraj – Historian i Institutit të Historisë, Prishtinë.
Imeraj thekson se duhet të bëhet kujdes sa i përket pronësisë në raport me Kishën. Pikërisht pronën dhe çështje tjera i rregullon Projektligji për Liritë Fetare, i cili thotë se 6 bashkësive fetare, përfshirë edhe Kishën Serbe, ua pranon statusin e personit juridik.
Por neni 7B thotë se Bashkësitë fetare nuk janë të detyruara të regjistrohen dhe të pranojnë statusin e personi juridik kundër vullnetit të tyre.
Kurse neni 7 i Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, që rrjedh nga plani franko-gjerman, thotë se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.