Delegacioni i klerikëve fetarë nga Kosova të shtunën e 10 shtatorit kanë vizituar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët, në Qendrën e Paraburgimit në Hagë
Pas takimit ata kanë uruar që ish-krerët e UÇK-së, të kthehen sa më shpejtë në vendin e tyre.
Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame në Kosovë, ka thënë se gjendja shëndetësore e krerëve të UÇK-së është e mirë.
Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së do ta kalojnë ballafaqimin me gjykatën e drejtësisë dhe do të kthehen në Kosovë si të pafajshëm.
“Sot jam më se i gëzuar që pata rasti që bashkë me ipeshkvin e Kosovës, bashkërisht t’i takojmë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke filluar te vet presidenti e tutje. Patëm rastin që të bisedojmë me ata. Gjendja e tyre shëndetësore ishte jashtëzakonisht e mirë dhe besojmë se edhe këtë ballafaqim me gjykatën e drejtësisë, këtu në Hagë do ta kalojnë dhe do të kthehen sa më shpejtë në Kosovë si të pafajshëm”, ka thënë Tërnava për KP.
Ndërkaq, Ipeshkvi Dodë Gjergji është shprehur i lumtur për mundësinë e vizitës së ish-krerëve të UÇK-së, derisa ka uruar të kthehen sa më shpejtë në vendin e tyre.
“Po ashtu jam i kënaqur që sot kisha mundësi të bëjë një vepër të mëshirshme, për të vizituar njerëzit që iu mungon mundësia e lirisë. Urojmë që të kthehen sa më shpejtë në shtëpi”, ka theksuar ai.
Të dy drejtuesit fetarë kanë dhënë edhe mesazhin e bashkimit, pamarrë parasysh përkatësinë fetare.
Dodë Gjergji ka shtuar se vetëm të bashkuar mund ta gjejmë rrugën e përbashkët për ta zhvilluar vendin.
“Cilado ndasi që mund t’i kenë të mund të jenë të bashkuar dhe të gjejnë rrugën e përbashkët për ta quar jetën, vendin dhe familjen para”, është shprehur Gjergji.
Tërnava po ashtu ka theksuar se pavarësisht besimeve fetare, kjo vëllazëri duhet kultivuar edhe te gjeneratat e reja.
Sipas tij, kur gjithë populli është bashkë, është më lehtë të tejkalohen edhe sfidat.
“Është simbolik që kombi shqiptar trashëgon me shekuj. Ne kemi qenë dhe jemi së bashku për çdogjë që ka nevojë vendi ynë, vatani ynë, ardhmëria e popullit tonë. Ne edhe pse kemi besime të ndryshme, ne jemi vëllezër nga gjaku dhe gjuha. Këtë vëllazëri duhet ta ruajmë, kultivojmë edhe tek gjenerata e re. Sigurisht kur jemi bashkë jemi më të fortë do t’ia dalim më lehtë në çfarë do sfide që mund të ballafaqohemi gjatë rrugëtimit tonë”, ka shtuar Ternava.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe pastori i Kishës Protestante të Kosovës, Artur Krasniqi.
Ndryshe, kjo ishte hera parë që një delegacion ndërfetar ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, të cilët tash e dy vjet gati janë në paraburgim.