Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një propozim të ri për verifikimin e veteranëve ushtruesit të detyrës së OVL- UÇK-së, Faton Klinakut.
Në një përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thuhet se Kryeministri Albin Kurti ka propozuar që “që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare”.
Në propozimin e Kurtit, thuhet se deri sa të kryhet procesi i verifikimit veteranët do të kenë mundësi punësimi duke u subvencionuar nga Qeveria e Kosovës për një pjesë të pagës në një periudhë të caktuar
“Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.
Ky propozim, sipas Qeverisë së Kosovës, do të mund të rezultonte një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve.
“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, ka thënë Kryeziu.
Alternativë e propozimit të Kurtit, sipas Kryeziut do të jetë “zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve”.
“Alternativë ndaj këtij propozimi të Kryeministrit Kurti mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve, i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.
Ndërkaq këtë propozimin nga Kurti e ka konfirmuar vet Klinaku, i cili ka thënë se do ta shqyrtojnë ditëve në vijim dhe se pas shqyrtimit do si organizatë e luftës do t’i kthejnë përgjigje me shkrim kryeministrit.
Klinaku në reagimin e tij ka thënë se verifikimi i veteranëve në të kaluarën është bërë në bazë të ligjit dhe nëse ka pasur shkelje duhet të merren organet kompetente.
“Aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë mbi bazë të ligjit. Për çdo shkelje të ligjit janë organet kompetente, dhe pas thirrjeve tona, ka filluar proces gjyqësor dhe lënda është në gjykatë”, ka thënë ai.
Klinaku ka theksuar se deri sa të bëhet një ligj i ri për veteranët sipas tij duhet të respektohet ligji aktual dhe veteranëve të ju rritet paga në raport me pagën minimale.
Tutje Klinaku, ka thënë se dosjet për veteranët janë në prokurori dhe si organizatë ata nuk mund të ndërhyjnë.