Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se të hënën organizatat e dala nga lufta do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës, për mundësinë e largimit të tyre nga ligji për pagën minimale.
Klinaku akuzoi Qeverinë e Kosovës, se qëllimshëm po i injoron veteranët e luftës së UÇK-së. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk po thërret takime me ta, për t’i diskutuar problemet dhe shqetësimet e tyre.
Ai tha se për çdo ndryshim, i cili do të ndikonte direkt te veteranët e luftës apo familjet e tyre do të duhej që të pyeteshin ata së pari.
“Përveç çështjes së beneficioneve për veteranë, si organizata të dala nga lufta, jemi të shqetësuara sepse kjo qeveri nuk ka bashkëpunuar asnjëherë prej që ka qenë në pushtet, qoftë me takime. Edhe pse e kemi pasur një takim e gjysmë sepse një takim e kemi lënë në gjysmë për tu takuar përsëri, por kryeministri Kurti, nuk na ka ftuar më”, ka thënë Klinaku.
Tutje, Klinaku tha se përveç shqetësimit për largimin nga ligji për pagën minimale, ata janë të shqetësuar edhe nga disa probleme teknike, siç ka thënë ai, të prokurorisë.
“Në kohën kur është bërë aplikimi për veteran, nga prokuroria kanë filluar hetime dhe i kanë marrë dosjet, dhe për shkak të kësaj, veteranët dhe familjet kanë probleme, sepse ndodh që veterani vdes dhe familjarët nuk mund ta marrin pensionin për çështje teknike. Për shkak të këtyre gjërave jemi të diskriminuar, do të dalim të protestojmë prej orës 10, do të grumbullohemi për ta ndalë ndryshimin e ligjit për pagën minimale”, është shprehur ai.
Ndryshe, për mospërfshirjen e veteranëve të luftës në pagën minimale nga ana e qeverisë janë shprehur kundër edhe partitë opozitare.
Organizata e veteranëve, fillimisht, kishte paralajmëruar protestë me datën 14 maj të këtij viti, ku edhe kishin paralajmëruar “destabilizim” të vendit, në qoftë se nuk përfshihen në pagën minimale.
Votimi i Projektligjit për Pagën Minimale është shtyrë për seancën e së hënës, për shkak se herave të kaluara nuk kishte pasur kuorum.