Ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën e seancave gjyqësore në Gjykatën Speciale.
Klinaku, në emisionin “FIVE”, ka thënë se ka vërejtur një fushatë të bastisjeve të njerëzve për të arsyetuar dështimet e tyre në këtë kontekst.
“Ka një fushatë të bastisjeve të njerzëve për t’i arsyetuar dështimet e tyre, sepse sa i përket seancave gjyqësore, në të shumtën e rasteve janë duke dështuar, sepse vazhdimisht ne e kemi thënë se të gjitha provat i kanë nga Serbia pushtuese dhe ne kemi pasur disa dokumente që atyre u kanë rrjedhur si skandale dhe që persona të maskuar e të panjohur i kanë sjellë te ne dhe asnjëherë nuk janë hetuar këta persona”, ka thënë Klinaku.
Klinaku thotë se dështimet në seancat gjyqësore janë për shkak se shumica e provave janë të marra nga Serbia pushtuese dhe se ata kanë dokumente që janë sjellë nga persona të maskuar dhe të panjohur, pa pasur hetim të duhur për origjinën e tyre.
“Të gjitha do t’u dalin gënjeshtra sepse nuk e ka penguar drejtësine dhe secili nga këta persona që janë duke u bastisur dhe janë duke ua konfiskuar telefonat janë shumica prej tyre që kanë qenë në vizitë në Hagë”, vijon ai.
Tutje, ai ka theksuar se “askush nuk është duke e penguar drejtësinë, por ZPS-ja ka penguar drejtësinë duke i kërcënuar dëshmitarët dhe duke i përpunuar dëshmitarët e vet”.
“Meqenëse nuk kemi shtet pasi i kemi partitë politike servil, qofshin ata që e kanë themeluar, por edhe këta tashmë që nuk kanë dashur me largu këtë gjykatë, duke ndryshuar një ligj. Nuk po merren me Gjykatën Speciale fare, por po merren me ‘Zajdnicën’, të cilën e kanë pranuar edhe ata edhe ky”, përfundon Klinaku.