Nexhmije Kllokoqi, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ish – reportere në kohën e luftës, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Oliver Ivanoviq ka qenë i fuqishëm derisa është formuar Lista Serbe.
Kllokoqi ka thënë se kur “Lista Serbe” u formua, Ivanoviqit filloi t’i bjerë fuqia dhe pushteti, duke shtuar se ai ishte i njohur për shumë krime.
“Ka bërë shumë vrasje, shumë krime, ka qenë organizator shumë i madh i kriminalitetit të ndryshëm. Ai ka pasë fuqi të madhe saqë nuk ka ditë se çfarë është frika”, ka thënë ajo.
Ish – reporterja në kohën e luftës ka treguar se pas arritjes së marrëveshjes kishte tentuar të shkojë ta vizitojë familjen e saj, por e njëjta ishte ndaluar nga Ivanoviq.
“Unë kam qenë reportere dhe koordinatore e televizionit japonez gjatë luftës. Meqë më kishin humbur të gjitha kontaktet me familjen, nuk dija asgjë për ta katër muaj. Menjëherë pas marrëveshjes kam insistuar të shkoj dhe ta kërkoj familjen. Kur kemi arritur tek Ura e Ibrit, isha unë, djali dhe gazetari japonez. Neve menjëherë na ka dalë përpara Oliveri me një grup përpara, na ka pyetur se ku po shkoni dhe iu përgjigja se po shkoj në shtëpi. Ai më tha se nuk mund të shkoni sepse jeni shqiptarë”, ka thënë tutje Kllokoqi.
Aktivistja për të drejtat e njeriut është shprehur se Ivanoviq ishte insistues gjatë tërë kohës që të ndalej xhirimi i kamerës dhe në fund nuk i kishte lejuar të shkonin te shtëpia e tyre, gjë që e kishin përjetuar rëndë.
Ajo ka theksuar se pas shumë insistimesh me KFOR-in francez, ajo kishte shkuar për ta shikuar nëse e kishte gjallë familjen.
“Kjo na ka dhënë të kuptojmë se diçka e keqe është duke ndodhur, sepse kur filluan njerëzit të kthehen nga jashtë nuk u lejuan të shkonin më në shtëpitë e veta. Filluan hedhjen e bombave nëpër lagjet, shtëpitë ku ishin shqiptarët. Ai ishte një sinjal mjaft i qartë se është duke u bërë pastrimi etnik i shqiptarëve. Nuk kishte shkolla, nuk kishte asgjë. Ishin vite më të vështira pas luftës sesa gjatë tërë luftës”, ka shpjeguar Kllokoqi.
Përvjetori i gjashtë i vrasjes së politikanit opozitar serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, është shënuar mëngjesin e së hënës para zyrave të partisë së tij, Iniciativa qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia (SDP) në Mitrovicën e Veriut, ku edhe është vrarë.
Lexo dhe: Ndizen qirinj në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së Oliver Ivanoviqit
Në mëngjesin e 16 janarit, miqtë dhe admiruesit e Ivanoviqit kanë ndezur qirinj në orën 08:15, kur është kryer atentati ndaj tij.
Ai është vrarë me gjashtë plumba në shpinë para objektit të partisë së tij.