Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga SBAShK-u që të ndërpres grevën në arsim, pasi mban përgjegjësi faktike për shkelje të drejtave të njeriut, saktësisht të nxënësve.
Kështu thuhet përmes një reagimi për media nga KMLDNJ, ku ndër të tjera shtohet se i kanë monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla, dhe se kërkesat e tyre i konsiderojnë si të drejta dhe të arsyes hme.
“KMDLNJ gjithnjë ka reaguar kundër linçimit publik të orkestruar ndaj SBASHK-ut dhe kryetarit, Rrahman Jasharaj si reagim nga pozita e të fortit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Nëse Qeveria e Kosovës ka qëndrim linçues ndaj SBASHK-ut, e kjo është e pakundërshtueshme, edhe SBASHK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete për shkelje të drejtave të njeriut të nxënësve andaj duhet të ndërpres me shkelje të këtyre të drejtave. KMDLNj ka monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla dhe kërkesat e tyre i konsideron si të drejta dhe të arsyeshme hiç këtu angazhimet për grevë-thyerje nga pozitat ekskluzivisht partiake”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, KMDLNJ ka tërhequr vërejtjen edhe për grevën në Komunën e Prishtinës që u shkakton shumë dëme qytetarëve të Prishtinës, duke filluar nga foshnjat që duhet të regjistrohen, bizneseve të shumta dhe qytetarëve që janë të privuar nga ofrimi i shërbimeve e që aktualisht janë të pjesshme.
“KMDLNJ pret dhe shpreson se greva e SBASHK-ut do të përfundojë shpejt dhe do të nisë procesi arsimor duke theksuar se në këtë rast SBASHK-u nuk do të jetë palë e humbur. Nëse këmbëngul të vazhdojë këtë grevë në këtë mënyrë atëherë, pa asnjë dyshim më së shumti do të humb SBASHK-u, përjashtuar nxënësit që, edhe deri më tani janë humbësit më të mëdhenj, pa fajin e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.