Politologu Melazim Koci ka komentuar kritikat e fundit të Richard Grenell, emisar i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “FIVE” të Dukagjinit, Koci theksoi rëndësinë e deklaratave të Grenell, duke paralajmëruar se është gabim që ai të portretizohet si një figurë periferike në skenën politike amerikane.
Grenell: Retorika e Kurtit se është i afërt me ShBA-në është e rreme, mos u mashtroni
“Grenell kualifikim më të rëndë që e bëri në deklaratën e tij, ishte kur tha që SHBA-të zotin Kurtin e konsiderojnë partner jo të besueshëm. Mendoj që kjo ishte fjalia më problematike dhe komplekse…
E vetmja gjë që Kosova nuk ta bëjë të tentojë të prezantojë zotin Grenell si personalitet periferik, siç po tentohet sot e dje. Nuk është zoti Grenell personalitet periferik. Ka mundur të jetë në katër vitet e fundit, gjithë kohën sa ka qenë në opozitë fjala e tij nuk ka pasur peshë.
Por, nga çasti që është emëruar emisar për misioni speciale – edhe sipas të gjitha gjasave edhe për Kosovën nuk është e konfirmuar por nuk përjashtohet – fjala e tij ka peshë. Nuk mund të thotë ai asgjë që del jashtë kontekstit të qëndrimit zyrtar të SHAB-ve… Do të jetë gabim nëse tentohet që zoti Grenell sërish ashtu siç ka ndodhur me Palmer, Escobar, Hill të portretizohet gjoja si pro-serb e që anon duhet të jetë gabim. Ai në këto qaste artikullin pozicionin e SHBA-ve në raport me Ballkanin dhe Kosovën”, ka thënë Koci në FIVE.
Ndërkaq, gjatës së hënës në një postim në X, Grenell është shprehur se, përkundër miqësisë së tij me shumë liderë në rajon, Kurti nuk ka arritur të jetë një partner konstruktiv për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.
Ai theksoi se kritikat ndaj Kurtit janë të njëjta, si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët, për veprimet e tij që, sipas tij, kanë minuar stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, ka shkruar Grenell në X.
Grenell: Retorika e Kurtit se është i afërt me ShBA-në është e rreme, mos u mashtroni
“Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.
Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka shtuar Grenell.