Nisja e riarmatosjes së Evropës ka qenë pajtimi i njëzëshëm që ka dalë nga takimet e liderëve evropianë së fundmi, përballë pasigurive për vazhdimin e mbështetjes ushtarake nga SHBA-ja.
Për këtë qëllim, BE-ja ka hartuar një plan pesë pikësh, të cilin përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Ursula von der Leyen tha se ua ka dërguar sot liderëve evropianë para mbledhjes së Këshillit Evropian të enjten.
Politikania gjermane, në konferencën ku paraqiti publikisht planin, tregoi zotimin e ri të shteteve evropiane.
“Evropa është e gatshme të rrisë në mënyrë masive shpenzimet për mbrojtjen, si për të përmbushur urgjencën afatshkurtër për të vepruar dhe për të mbështetur Ukrainën, ashtu edhe për të adresuar nevojën afatgjatë për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane”, ka thënë Von der Leyen.
Plani “Riarmatosja e Evropës”, sipas Von der Leyen, mund të mobilizojë afro 800 miliardë euro për shpenzime të mbrojtjes nga vendet anëtare.
Udhëheqësja e Komisionit Evropian theksoi se Evropa do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët e vet në NATO.
“Po flasim për fushat kryesore të aftësive mbrojtëse pan-evropiane, si mbrojtja ajrore dhe kundër raketore, sistemet e artilerisë, raketat dhe municionet, dronët dhe sistemet kundër dronëve, por edhe për nevoja të tjera si siguria kibernetike dhe mobiliteti ushtarak. Kjo do t’i ndihmojë shtetet anëtare të bashkojnë kërkesat dhe të blejnë së bashku pajisjet e nevojshme”, ka shtuar Von der Leyen.
Pika e parë parasheh mundësinë përdorimit të fondeve publike për mbrojtjen në nivel kombëtar, duke u krijuar shteteve anëtare hapësirë fiskale.
Propozimi i dytë është krijimi i një instrumenti të ri financiar, i cili do të ofrojë 150 miliardë euro hua për shtetet anëtare për investime në mbrojtje.
Përdorimi i fuqisë së buxhetit të BE-së parashihet në pikën e tretë, ku mes tjerash rekomandohen veprime të shpejta për të orientuar më shumë fonde drejt investimeve të lidhura me mbrojtjen.
Dy fushat e fundit të veprimit, sipas Von der Leyen, synojnë mobilizimin e kapitalit privat duke përshpejtuar Unionin e Kursimeve dhe Investimeve si dhe përmes Bankës Evropiane të Investimeve.