Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO) ka njoftuar se është prekur nga kolapsi kibernetik, që përfshiu gjithë botën të premten.
KESCO ka thënë se të gjitha kërkesat po hasin në vështirësi për t’i procesuar në departamentet përkatëse, për shkak të rënies së sistemit kompjuterik.
“Për shkak të një kolapsi kibernetik, i cili ka prekur shumë sektorë në shumë vende të botës, ka afektuar edhe Kosovën ku, nga mëngjesi i sotëm, të gjitha kërkesat tuaja po hasin në vështirësi t’i procesojmë te departamentet përkatëse për shkak të rënies së sistemit të IT-së. Sistemi i Sigurisë Kibernetike #“Crowdstrike Global” ka lajmëruar opinionin e gjerë për një gabim në sistemin e tyre. Rrjedhimisht, ky problem nuk është specifik në KESCO, por është problem që ka afektuar të gjitha kompanitë e mëdha globale”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
Sipas njoftimit, ekipet përkatëse janë në kontakt me kompanitë botërore, si Microsoft, Crowdstrike Global e të tjera dhe po punohet në zgjidhjen e këtij problemi.
Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike – organ shtetëror për ruajtjen e sigurisë së rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike në Kosovë – ka thënë se incidenti shkakton probleme gjatë ristartimit të sistemit operativ Microsoft Windows.
“Në rast të këtij problemi, sipas udhëzimeve teknike të proklamuara deri më tani, është e nevojshme që të fshihen fajllat ‘C-00000291*.sys’ nga direktoriumi ‘C\Windows\System32\drivers\CrowdStrike’ në Save Mode”, ka thënë ky organ përmes një postimi në Facebook.
Një ndërprerje masive e IT ka prekur një sërë institucionesh globale, duke përfshirë bankat e mëdha, mediat dhe linjat ajrore.
Shteti amerikan i Alaskës ka raportuar se shërbimet e tij të urgjencës janë prekur, ndërsa disa linja ajrore në Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar fluturimet.
Australia është goditur më rëndë, me rrjetet e transmetimit që kanë përjetuar ndërprerje dhe supermarketet që janë gjymtuar, ndërsa Sky News UK është mbyllur përkohësisht.
Ndërprerja e IT është lidhur nga disa burime me sistemet operative të Microsoft PC.
Microsoft ka konfirmuar se po heton një çështje që ndikon në aksesin në aplikacionet dhe shërbimet e Microsoft 365, por një zëdhënës i kompanisë ka njoftuar se shumica e shërbimeve janë rikuperuar tashmë.
Kompania globale, Crowdstrike ka thënë se problemet kibernetike që janë shkaktuar të premten në gjithë botën, janë pasojë e një “defekti” gjatë përditësimit të një sistemit të saj.
Ndërprerja masive e IT-së në mbarë botën godet linjat ajrore, mediat dhe bankat