Kolegët e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, i rënë në kryerje të detyrës, Enver Zymberi, kanë vrapuar të martën në nderim të 11-vjetorit të rënies së tij gjatë aksionit policor në veri të vendit.
Ky vrapim është bërë nga rruga që mban edhe emrin e tij, deri te lapidari i heroit në fshatin Duboc, ku është edhe vendlindja e heroit të ndjerë Enver Zymberi.
Kolegët e të njerit që morrën pjesë në këtë vrapim ishin Lulzim Bucolli, Naim Foniqi, Naim Zyberaj, Edmond Jakupi dhe Erzen Zyberaj.
Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar pjesëtarin e policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili kishte rënë dëshmor në kryerje të detyrës zyrtare. Kurti ka thënë se Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës.
“Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, për çka shteti ynë asnjëherë nuk do ta harrojë, sepse Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i saj dhe as nga shteti ligjor dhe i së drejtës”, ka thënë Kurti.
Zymberi u vra nga struktura kriminale serbe, që ende nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
Në Kosovë janë 21 zyrtarë policorë që e kanë humbur jetën në krye të detyrës së tyre.
Ndërsa, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Zymberin, përmes një postimi në Zyrën e Presidentes, Osmani ka përkujtuar edhe 21 policët e rënë në detyrë që nga themelimi i Policisë së Kosovës.
“Në 11-vjetorin e rënies, e kujtojmë sot heroin Enver Zymberi, i cili ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, për të cilën gjë i përkulemi sot e përjetësisht. Ai është heroi i Kosovës së sotme, i cili u vra në krye të detyrës nga strukturat kriminale serbe në mbrojtje të shtetit ligjor”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Të hënën e 25 korrikut janë bërë 12 vjet nga aksioni i 25 dhe 26 korrikut i Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Aksioni për shtrirje të sovranitetit në atë pjesë të Kosovës, nuk kishte shkuar gjithçka sipas planit. Pas një sulmi me snajper, kishte mbetur i vdekur polici Enver Zymberi.
Megjithatë, ky aksion vlerësohet si pikënisje e shtrirjes së sovranitetit në komunat veriore të Kosovës.