Ish i burgosuri i arrestuar për rastin “Panda”, Agron Kollçaku ka thënë se i di emrat e urdhërdhënësve për vrasjet e kosovarëve.
I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Kollçaku ka treguar një fletë me dy persona në të duke thënë se të njëjtit janë urdhërdhënësit.
“Kam dëgjuar edhe më herët, e di kush janë urdhërdhënësit e kësaj vrasjeje. Megjithëse ajo të nesërmen u morr vesh se kush e ka bërë e kush ka dhënë urdhër, shteti serb është qe 24 vite duke e fshehur për të mos u zbuluar ky rast…Krejt i kam dëgjuar edhe me emra…po tash po i harroj edhe emrat megjithëse unë këtu e kam edhe një shtyp që është botuar në Serbi…këta të dy janë urdhërdhënësit e vrasjes së PANDA-së”, ka treguar ai.
Kollçaku ka treguar edhe për vuajtjet e tij përgjatë kohës si i burgosur.
“Vuajtje ka pas 24/24…në Pejë kam qëndurar tre ditë e tri netë në zyret e tyre, mandej më kanë dërguar në burg në Pejë deri më 11 qershor. Kur janë tërhjekur forcat serbe prej Peje na kanë marrë me vete e na kanë dërguar në Serbi”, ka treguar ai gjersa ka shtuar se “Ti je kryesori më thojke, ti i ke mbyt fëmijët…ma lëshojshin një video incizim e më thoshin shiko çfarë u ke bërë fëmijëve”.
I njëjti tregon se ndodhinë e masakrës e kishte kuptuar të nesërmen nga mediat.
I pyetur se a ka pyetur dikush pas luftës lidhur me këtë rast, Kollçaku ka thënë se askush nuk i ka pyetur përveç mediave.
“As UMNIK-u, as EULEX-i, as hiq”, ka deklaruar ai duke bërë të qartë se as institucionet nuk bënin pjesë.
Masakra e Panda Barit ishte një sulm mbi civilët serbë në qytetin e Pejës. Dy persona të maskuar hapën zjarr në një kafene duke lënë të vrarë gjashtë të rinj serbë dhe duke plagosur 15 të tjerë. Lidhur me rastin, faji u ishte lënë shqiptarëve.