Ishte vetëm mesditë fundjave.
Por, për të hyrë të shtunën në Prishtinë nga Mitrovica kolona e automjeteve është bërë e gjatë afro 1 kilometër.
Megjithatë, që nga mesi i dhjetorit situata është e njëjtë, pasi numri i veturave është shumëfishuar me ardhjen e mërgimtarëve për festat e fundvitit.
Ndërkaq, këto kolona kanë lodhur edhe qytetarët.
“Kolona shumë po pengojnë, kanë bërë shumë fyta të ngushtë, për arsyeje se për zgjidhje të komunikacionit po bëjnë njerëzit që janë me kravata nëpër zyre, njerëzit e kabineteve”, ka theksuar një qytetar.
“Kerrin e kam në shpi, nuk kam mujtë me dal vetëm shkaku i qytyne kolonave, nuk ia vlenë me marrë kerrin në Prishtinë e sidomos nëpër Fushë Kosovë. Edhe transporti publik problem për neve në fshatra, sepse nuk ka sidomos ditëve të festave”, ka thënë Ilaz Krasniqi, qytetar.
Ekspertët kritikojnë institucionet se po qëndrojnë duarkryq.
“Kur na vinë mërgata na nxajnë gjithmonë të pa përgatitur për menaxhimin e komunikacionit. Besom se asnjë hap, asnjë nivel tjetër të menaxhimit të komunikacionit në Kosovë nuk është, mbetet i njëjti nivel i menaxhimit sikurse edhe në atë kohë kur nuk janë”, ka deklaruar Nol Dedaj, Njohës i komunikacionit.
Por, cila është zgjidhja sipas Nold Dedajt?
“Policia me dal në kryqëzimet të rrugës edhe me rregullu, përmes informacioneve, por edhe përmes mediave, me iu tregu edhe drejtuesve të automjeteve, mbi qarkullimin rrugor edhe kahjet e lëvizjes”, ka deklaruar ai.
Në bazë të raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, gjatë të premtes kanë qenë 25 aksidente trafiku me të lënduar, 57 me dëme materiale dhe janë shqiptuar 1445 gjoba.