Kolonë para qendrës për regjistrimin e makinave në veri të Kosovës

Një kolonë me automjete me targa “KM” u pa mëngjesin e 2 nëntorit para Qendrës për Regjistrim në Mitrovicë të Veriut

Një kolonë me automjete me targa “KM” u pa mëngjesin e 2 nëntorit para Qendrës për Regjistrim në Mitrovicë të Veriut, pasi Qeveria e Kosovës më 30 tetor vendosi për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Shtyrjes së afatit i parapriu një kërkesë nga Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Kjo kërkesë u bazua në kërkesat e qytetarëve që kërkuan që ky afat të vazhdohej.

Sipas vendimit të Qeverisë, afati për riregjistrimin e makinave me targa serbe sikurse “PR”, “KM”, “PZ” e të ngjashme do të jetë deri më 1 dhjetor.

Sinisha nga Mitrovica e Veriut, që po priste në radhë para Qendrës për Regjistrim nga ora 7:30, i tha Radios Evropa e Lirë se është lehtësuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës dhe se njerëzit kishin mbetur pa një zgjidhje tjetër, pos riregjistrimit në RKS, pasi ata nuk mund të lëvizin lirshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Çfarë të bëj. Ju mund të largoheni nga Kosova, por nuk mund të hyni sërish”.

I pyetur pse nuk e kishte riregjistruar makinën e tij deri më tani në targa RKS, ai tha se besonte se do të mund të vazhdonte të lëvizte ende me makinën e tij me targa “KM”.

“Të gjithë ndihemi të mashtruar”, tha Sinisha.

Çështja e targave ka shkaktuar një sërë krizash në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Fillimisht, më 31 korrik të vitit 2022, u ngritën barrikada për shkak të çështjes së targave dhe në nëntor të po atij viti, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, pasi u suspendua drejtori i policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Gjuriq kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS.

Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli i vitit 2023 të lejohej vetëm qarkullimi i makinave me targa RKS.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për riregjistrimin e makinave.

Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa “KM” lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht, atyre u duhet t’u tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Prandaj, autoritetet e Kosovës ndaluan qarkullimin e makinave me targa “KM” në veri, që ishin regjistruar në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes për targat në nëntorin e vitit 2022.

Mirëpo, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës pas skadimit të afatit për riregjistrim nuk ka shqyrtuar gjoba për qytetarët, për shkak se kjo çështje ishte “çështje politike”./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika