Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, përgëzoi ushtarët italianë që u lënduan në përleshjet e 29 majit në Zveçan për ndërhyrjen e tyre në parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Gjatë vizitës që u bëri kontingjentit të ushtarëve të lënduar italian në kampin Villaggio Italia në Pejë, komandanti i KFOR-it, ka thënë se ata parandaluan përplasjet që mund të çonin në viktima civile.
“Jini krenarë për atë që keni bërë, keni vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke u ndërhyrë mes dy palëve të kundërta dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile”, citohet të ketë thënë Ristuccia, raporton REL.
Ushtarët e lënduar italian do të kthehen në Itali për rikuperim ndërkohë që shumica e ushtarëve hungarezë të plagosur tashmë janë transportuar në shtëpi dhe janë transferuar në spitale. Në përleshje u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga armë zjarri.
Ndërkohë, një ditë më parë, Ristuccia së bashku me admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, kishin vizituar edhe ushtarët e lënduar hungarezë.
Më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin.
Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.
Të martën, KFOR bëri të ditur se tre prej ushtarëve morën lëndime nga armët e zjarrit, teksa 27 ushtarët e tjerë kanë lëndime të ndryshme, por që të gjithë nuk kanë plagë vdekjeprurëse.
Gjatë vizitës së tij në KFOR, admirali Munsch takoi ushtarët e lënduar italianë dhe hungarez dhe “i lavdëroi për profesionalizmin, kurajën dhe vetëkontrollin në adresimin e dhunës”.
KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.