Gazetari i A2 CNN që ka udhëtuar në Turqi dhe po raporton lidhur me situatën e krijuar nga tërmetet që nisën ditën e hënë, ka realizuar një intervistë me komandantin e grupit të kërkim shpëtimit nga Kosova, Egzon Sylën.
Syla në intervistë është shprehur se grupi përbëhet nga më shumë se 30 veta, të cilët janë të specializuar për situata të tilla, ndërsa kanë edhe qen për kërkim-shpëtim.
“Shprehim ngushëllime për popullin dhe fatkeqësinë që ka ndodhë këtu, shpresojmë që edhe të lënduarit sa më shpejtë të shërohen”, ka thënë Syla.
“Kemi nisur dje udhëtimin me aeroplan, por për shkak të fluksit të fluturimeve ende nuk kemi arritur në zonën ku do të ndërhyjmë. Ne kemi dy ekipe të kërkim-shpëtimit urban që janë të specializuara për këtë punë, kemi gjithashtu edhe qen të kërkim-shpetimit. Shpresojmë që me kapacitetet tona t’ia dalim të ndihmojmë me sado të mundemi. Kemi një grup më shumë se 30 veta, shpresojmë të ia dalim mbanë dhe të ndihmojmë sa do pak”, u shpreh Syla, komandant i grupit.