Komandanti Ulutas: Sulmi në Banjskë dhe ai ndaj KFOR-it të papranueshëm, autorët të mbahen përgjegjës

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas, i ka dënuar sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke i quajtur ato të papranueshme. Ai ka bërë thirrje për hetim dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë. Ulutas ka theksuar se KFOR-i komunikon rregullisht me aktorët ndërkombëtarë dhe vendor dhe po diskutojnë për zhvillimet e sigurisë në rajon. Ai ka përmendur se NATO ka dërguar rreth 1,000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara në Kosovë pas këtyre sulmeve. Ulutas gjithashtu ka folur për bashkëpunimin e KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë (FSK), dhe ka theksuar se çdo zbarkim i FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it

Komandanti i KFOR-it në Kosovë Ozkan Ulutas

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas, e ka cilësuar sulmin ndaj KFOR-it në veri më 29 maj dhe sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, të papranueshëm.

Ai në “Five” të TV Dukagjinit tha se sulme të tilla nuk duhet përsëritur më derisa shtoi se autorët e tyre duhet të mbahen përgjegjës e të sillen para drejtësisë.

I pyetur se a mund të diskutohet rasti i Banjskës me komandën ushtarake serbe, e cila u akuzua se i liroi asetet ushtarake për trajnimin e grupit terrorist, Ulutas tha se “KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë. Po i diskutojmë të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë në rajon”.

Komandanti i KFOR-it theksoi se kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kryejnë hetimet e nevojshme në mënyrë që të konstatohen të gjitha faktet.

“Pikë së pari, sulmi i 29 majit ndaj trupave të KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës ishin të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten. Autorët e kësaj dhune duhet të mbahen përgjegjës. U kemi bërë thirrje autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që t’i kryejnë hetimet ligjore të nevojshme për t’i konstatuar faktet dhe për t’i sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Të gjitha këto pika u bënë shumë të qarta edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon në nëntorin e kaluar. Në vazhdën e dhunës, NATO zbarkoi rreth 1,000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh kontingjentit tonë në Kosovë gjatë një dekade. Kjo tregon se NATO është e gatshme që ta ruajë paqen”, tha ai.

Ulutas u shpreh se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë janë të gatshëm të përballen me çdo situatë.

“KFOR-i ka një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të misionit tonë me mandat të OKB-së. Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm që të përballemi me çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë që të operojmë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in”, tha ai.

  • FSK-ja dhe veriu

Ndër të tjera, komandanti i KFOR-it foli edhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë (FSK).

“Ekipi Ndërlidhës dhe Këshillues i NATO-së, i cili është i ndarë nga KFOR-i, ka mandat që të punojë krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me mandatin origjinal të FSK-së, si forcë e mbrojtjes civile”, tha ai.

Ulutas e citoi sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, i cili kishte thënë se zbarkimi i FSK-së në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it.

“Sa i përket zbarkimit të FSK-së në veri të Kosovës, sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ishte shumë i qartë në këtë pikë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, në nëntor. Ai theksoi se “çdo zbarkim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it”. Ne e mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të këtij zotimi nga Institucionet në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së gjithashtu theksoi se “Ne presim konsultime me kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës ose të Policisë së Kosovës që mund të ketë ndikim në sigurinë rajonale”, tha ai.

Ai theksoi se është në kontakt të rregullt me “përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe”.

“Unë llogaris në bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm, pasi këto kanale të komunikimit mbeten kyçe për ta mbështetur sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për ta ruajtur stabilitetin në rajon”, përfundoi Ulutas.

Shija e redaktorit

FSK-ja sot organizon Ditën e Vizitorëve, pjesëmarrëse edhe Osmani

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), këtë të martë, 12 nëntor, organizon Ditën e Vizitorëve, ku aty pritet të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa...

“Dukagjini” do të promovojë në Tiranë librin “Ciceroni shqiptar i...

Panairi i 27-të i Librit në Tiranë po afrohet. Ashtu si çdo vit tjetër, do të marrë pjesë edhe shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila...

“Dukagjini” do të promovojë serinë e lektyrave shkollore në Tiranë

Për të gjithë ju, mësimdhënës, pedagogë, prindër, fëmijë; lexues të letërsisë për fëmijë, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar që më datën 16 nëntor, ditën...

Të fundit nga rubrika