Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, të martën është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se aty është diskutuar për disa çështje, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe takimin e të dyja palëve në Ohër.
Tutje thuhet se Ristuccia dhe Mojsiloviq kanë konsoliduar bashkëpunimin e tyre.
“Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, takoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsilovic në Beograd. Ata diskutuan për implikimet e sigurisë të rezultateve pozitive të takimit të Ohrit më 18 mars dhe konsoliduan bashkëpunimin e tyre”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
#KFOR Commander, MG Angelo Michele Ristuccia, met w/ the Chief of Serbian Armed Forces General Staff, Gen. Milan Mojsilovic, in Belgrade. They discussed the security implications of the positive outcomes of the #Ohrid meeting on 18 March and consolidated their cooperation. pic.twitter.com/kKUC7bOHT1
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) March 21, 2023
Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.
Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.
Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.
Marrëveshja që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.