Para nisjes për në Poloni, kombëtarja shqiptare ka mbajtur një konferencë për media ku kanë marrë pjesë ardhja e re në kombëtare, futbollisti Anis Mehmeti dhe super ylli i kombëtares kuq e zi, Myrto Uzuni.
Mehmeti u shpreh se qëllimi i Shqipërisë është ta fitojnë sfidën ndaj tyre dhe do të udhëtojnë atje për të vetmin qëllim, fitoren.
“Shkojmë në Poloni me qëllim për të fituar. Kemi skuadër shumë të fortë dhe gjithë ata lojtarë që luajnë për kampionat janë shumë të fortë dhe po besoj që do të shkojmë atje për të fituar”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti foli edhe për ftesën që i ka ardhur nga kombëtarja ku u shpreh se ishte një ëndërr për të dhe familjen e tij që ta vesh fanellën e kombëtares kuq e zi.
Ndërkaq, Myrto Uzuni ka folur për formën e tij të mirë që po kalon tek skuadra e Granadës në La Liga 2, ku pret që kjo formë e mirë e tij, të vazhdojë edhe te kombëtarja.
“Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me kaq. Sa i përket kombëtares jam shumë i lumtur që jam ftuar. Të përfaqësosh vendin, familjen, kombin është gjëja më e madhe për një futbollist. Uroj të arrijmë rezultate pozitive prandaj, dhe jemi thirrur. Sa i përket lojtarëve të rinj i uroj mirëseardhjen dhe t’i afrojmë sa më shpejtë që të adaptohen me ne dhe të arrijmë rezultate pozitive”, potencoi ai.
Uzuni është shprehur gjithashtu se dëshiron të shënoj edhe në Varshav.
“Kur futem në fushë, gjithmonë futem me mendimin që dua të shënoj pasi siç e thashë edhe më parë, kjo është gjëja që bëj më së miri. Dhe këtë dua të bëjë në Varshavë”, tha Uzuni.
Shqipëria luan të hënën e 27 marsit ndeshjen e parë me Poloninë në kuadër të kësaj kampanje kualifikuese ndërsa, polakët ndeshjen e parë e luajnë ndaj Republikës Çeke me 24 mars.