Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, janë votuar vetëm kriteret e dinamikës së punës.
Gjithashtu, është diskutuar lidhur me dinamikën kohore të intervistimit të dëshmitarëve, por deputetët e këtij komisioni nuk u pajtuan.
Në këtë mbledhje u kërkua që të intervistohet edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kërkoi që në listë të përfshihen anëtarë të MAShTI-t, të bibliotekave e pastaj edhe ministrat.
“Lista mendoj se duhet të ketë me prioritet të saj deri aty sa kemi mandat kohor. Sa mjete financiare janë shpenzuar për mjetet mësimore 2023-2024, sa mjete i ka ndarë qeveria dhe sa mjete ka pas MAShTI që janë shpenzuar, pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese, sa kanë qenë ofertat, a ka pas dallime me të viteve të kaluara, etj”, ka thënë Haxhiu, raporton KP.
Haxhiu ka kërkuar që të pyeten se sa ka qenë kostoja financiare e viteve paraprake për mjetet shkollore.
“Kërkesa e iniciuar për hetim parlamentar për tekstet shkollore ka qenë epilogun e saj nga ky komision parlamentar. Duhet të përpunojmë listën ose agjendën për dëshmitarëve. Të kem akterë përgjegjës. Fillimisht shtëpitë botuese për ofertat që janë ofruar, akterët zyrtarë, sekretaren, drejtorin e prokurimit, arsimit për të pasur informacionet e sakta dhe pastaj kalojmë tek ata që janë politikë. Të kemi informacione sa ka qenë kostoja financiare e viteve paraprake”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Agim Veliu, nuk e sheh si të nevojshme t’i thërrasin të gjithë drejtorët e arsimit prej vitit 2008, sepse sipas tij nuk mund të gjejnë asgjë.
“Besoj që kjo listë është e mjaftueshme. Nuk besoj që është e nevojshme t’i lëshohemi poshtë drejtorëve komunalë të arsimit, se nuk mund të gjejmë asgjë”, ka shtuar ai.
Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, ka propozuar që Ministria e Arsimit të jetë e fundit në intervistim.
“Këta dëshmitarë të propozuar të pozitës dhe opozitës ne duhet të mendojmë kë ta ftojmë, kë të parin e kë të dytin. Unë propozoj që ministren e Arsimit ta lëmë të fundit, me i mbledhë të gjitha informacionet e më pas më i diskutu”, ka thënë Dreshaj.
E këtë propozim anëtarja e koalicionit Vakat, Duda Balje e ka kundërshtuar, pasi që Ministria e Arsimit është kryesorja dhe ka informatat kryesore rreth mjeteve shkollore.
“Unë jam kundër. Si mundemi me i lënë ata në fund, ata janë autorët, duhet me marrë informata prej tyre që janë kryesorë”, ka kundërshtuar Balje.
Dreshaj ka dhënë dy propozime, Ministria të jetë në fund ose e para, por të njëjtat janë kundërshtuar nga deputetët e këtij komisioni.
Rreth kësaj liste të të intervistuarve, deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza, është shprehur se nuk voton derisa të shohë se si do të strukturohet kjo listë.
Në fund u vendos që së pari të strukturohet lista e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit Fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, dhe pastaj të votohet kjo listë.
Pse u formua ky komision?
Ky komision ka për qëllim të evidentojë se a ka pasur lëshime në subvencionimin e teksteve shkollore apo jo, gjatë viti shkollor 23/24.
Kështu, më 4 prill, pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.
Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.
Subvencionimi
Procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.
Për dallim nga vitet e kaluara, prindërit është dashur që vetë t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.
Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumën prej 80 eurosh për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.
Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.