Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka mirëpritur një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë të shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në fushën e integrimit evropian, politikës së jashtme dhe për nevojën e përhershme për bashkërendim dhe koordinim.
Ndër të tjera, thuhet se delegacioni ka dhënë mbështetjen e tyre të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit të kaluar, dhe në Këshillin e Evropës, të dorëzuar në maj të vitit 2022.
“U bisedua gjithashtu edhe për marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve dhe komunikimin e afërt ndërinstitucional, si dhe për zbatueshmërinë e marrëveshjeve bilaterale, me theks ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimit tregtar”.
Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, në emër të delegacionit e ka uruar kryeministrin Kurti për përvjetorin e 15-të të pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti i falënderoi deputetët për vizitën, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për gatishmërinë për të bërë edhe më shumë në shërbim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Delegacioni në fjalë, i përbërë nga Jorida Tabaku, Flutura Açka, Kreshnik Çolaku, deputetë të Partisë Demokratike, Etilda Gjonaj, Gerta Duraku, Lavdrim Krrashi, deputetë të Partisë Socialiste dhe Erisa Xhixho, deputete nga Partia e Lirisë, po qëndron në Kosovë ku po zhvillon takime me përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë.