Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara në një intervistë për Dukagjini ka theksuar se gjatë vitit 2024, komisioni është përballur me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e informacionit të besueshëm dhe politizimin e procesit nga institucionet e Serbisë.
Megjithatë, sipas Garës, bashkëpunimi i pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare dhe partnerët ndërkombëtarë ka sjellë rezultate pozitive në drejtim të drejtësisë dhe të vërtetës.
”Përmes bashkëpunimit të pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare, mbështetjen institucionale dhe përkrahjen nga partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përkushtimit të stafit e secilit zyrtar të institucioneve të angazhuar në këtë proces, kemi bërë hapa domethënës drejt drejtësisë dhe të vërtetës, drejt respektimit të një të drejtë elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur”, ka thënë Gara.
”Me qëllim të një koordinimi më të mirë dhe funksionimit si një ekip, krahas takimeve të KQPZH-së, kemi vazhduar me praktikën e takimeve të rregullta me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Sektorit për Persona të Zhdukur kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në veçanti në adresimin e informatave dhe realizimin e vlerësimeve të nevojshme në terren”, ka thënë ai.
Gjatë vitit, Gara ka thënë se janë realizuar 33 operacione fushore, duke përfshirë gërmime në 23 lokacione brenda Kosovës, ku janë zbuluar mbetje mortore të 13 individëve.
”Të gjitha lokacionet e adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues, paraprakisht nënkuptojnë një sërë hapash/aktivitete të ndjekura, në respektim të legjislacionit në fuqi, përfshirë këtu edhe sigurimin dhe trajtimin e informatave, vizitat e nevojshme në terren, shënjimi i lokacionit, sigurimi i urdhëresave nga gjykata kompetente, përmes prokurorëve për krime lufte”.
“Nga 23 lokacionet në fjalë, vetëm 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Sipas ekspertëve mjekoligjor nga këto lokacione janë zhvarrosur 13 individë (megjithatë kjo e dhënë mund të konfirmohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimit mjekoligjor përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së)”, ka thënë Gara për Dukagjinin.
Në lidhje me lokacionet në Serbi, përkundër dakordimeve, Gara ka thënë se nuk ka pasur përparim në gërmime.
”Gjatë dy takimeve të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, të mbajtura në Gjenevë me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe dy takimeve të Nëngrupit Punues për Mjekësi Ligjore, të mbajtura në Prishtinë po ashtu me ndërmjetësimin e KNKK-së, ka pasur dakordim që të vazhdohet me gërmimet vlerësuese në tri lokacione në territorin e Republikës së Kosovës dhe në tri lokacione në territorin e Serbi (përfshirë lokacionin në Batajnicë, lokacioni në Kozarevë dhe lokacioni në Kozhle)”.
”Përderisa në lokacionet brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë kryer vlerësimet e nevojshme, në lokacionet brenda territorit të Serbisë përkundër dakordimeve nuk ka pasur ftesë për vlerësim në lokacionet në Batajnicë dhe Kozarevë (në këtë lokacion përjashto një vizitë të përbashkët e realizuar më 18 tetor 2023). Ndërsa në lokacionin në Kozhle (në afërsi të një ‘deponie’) janë realizuar aktivitetet me qëllim të pastrimit apo përgatitjes së terrenit dhe në kohën kur pritej datat e fillimit të vlerësimeve, edhe ky rast/lokacion është bartur në vitin 2025 nga pala serbe”, ka thënë ai.
Gara tutje ka thënë se krahas dakordimet për lokacionet e lartcekura, ”gjatë takimeve të Grupit Punues, që janë zhvillim i rëndësishëm i këtij viti meqë mbahen pas më shumë se dy vite mos-mbajtje të takimeve të Grupit Punues për shkak të mos-reflektimit të palës serbe, sipas kërkesës së Kryeministrit të Republikës së Kosovë, për ndryshimet e nevojshme në përbërjen e Delegacionit të Serbisë –në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur (përkatësisht kryetarit të Delegacionit të Beogradit, për shkak të kaluarës së tij përkatësisht përgjegjësisë së tij gjatë luftës në Kosovë)”.
”Delegacioni gjatë dy takimeve, ka prezantuar rreth 20 raste/lokacione (të përmbledhura në vijim), në formë të kërkesave me qëllim të prioritizimit, si kërkesa për qasje në arkivat (Arkivat e Brigadës së Motorizuara 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave; arkivat e Brigadës së Motorizuar 549 të ish-Ushtrisë Jugosllave), rikthimi në lokacionet e konfirmuara si varre masive në territorin e Serbisë (si Batajnica, Bajna Bashta, Petrovosello), vazhdimi i vlerësimeve apo fillimi i vlerësimeve në disa lokacione (si Surdulica, Kozareva, Banja, Kozhle, Jallovishta), çështja e furrnaltave (si Bor, Mackatica, Trepca, Ferronikeli), rastet e zhdukjes në grup që nuk ka asnjë identifikim Rasti i Intelektualëve, Masakra e Tërnjes dhe Pokleku i Ri), rastet individuale (Profesor Ukshin Hoti, Dr.Hafir Shala, z.Xhavit Haziri, znj.Sahide Metushi/Masakra e Reçakut, z.Albion Kumnova), dhe rastet e fëmijëve të zhdukur.
Komisioni qeveritar gjithashtu ka bërë kërkesa për prioritizim të rasteve të lartcekura. Gara ka thënë se janë adresuar edhe në kuadër të takimeve rajonale, të organizuara nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në zbatim të Planit Kornizë Rajonal për adresimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, ku gjatë këtij viti janë mbajtur tri takime të Grupit Rajonal për Persona të Zhdukur, përfshirë edhe takimin e bashkë-kryesuar mes Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (mbajtur në Hagë, më 9 shtator 2024).
”Është e rëndësishme të theksohet se krahas takimeve të mekanizmave të lartcekur, çështja e personave të zhdukur me forcë, ka vazhduar të adresohet si çështje prioritare edhe në kuadër të ‘Dialogut në Bruksel (Dialogut për Normalizim)’. E prezantuar si çështje prioritare në të gjitha takimet, përfshirë edhe takimin e mbajtur së fundmi, pra më 17 dhjetor 2024, ku ka dakordim për përmbajtjen e ‘Termave të Referencës të Komisionit të Përbashkët’, që nënkupton themelimin e Komisionit të Përbashkët të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, në zbatim të Marrëveshjes për Persona të Zhdukur (më saktësisht Deklaratës së Përbashkët të Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Serbisë), të datës 2 maj 2023”.
”Përderisa në avancimin e Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur edhe në nivel ndërkombëtar, duke qenë shtet anëtar në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (nga muaji Gusht, 2023) janë pesë takime (me pjesëmarrjen edhe të shteteve tjera anëtare), takime të një rëndësie të veçantë që kulmuan me dakordimin e Protokollit për ndryshim/plotësimin e Traktatit themelues (Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e KNPZh-së), gjatë takimit të shteteve anëtare të mbajtur më 16 dhjetor 2024”, ka thënë ai.
Përveç angazhimeve lokale, gjatë vitit është intensifikuar bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat për mbështetje teknologjike dhe shkencore, përfshirë përdorimin e teknologjisë LiDAR dhe Radarit Depërtues Tokësor (RDT) për gjetjen e trupave.
”Gjatë vitit 2024 ka vazhduar bashkëpunim i rregullt, i rëndësisë së veçantë me organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare, me ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare. Në këtë rast mund të theksohet kontributit të rëndësishëm i EULEX-it, gjegjësisht mbështetjes përmes ekspertëve në Institutit e Mjekësisë Ligjore, bashkëpunimi me Kryqin e Kuq të Kosovës në shënimin e datave të veçanta dhe në rastin e angazhimit të dy hulumtuesve, si dhe një sërë angazhimesh e aktivitetesh në kuptim të mbështetjes nga ambasadat si Ambasada Zvicerane, Ambasada Britanike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, dhe organizatat si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, UNDP dhe Zyra e BE-së”.
Gara ka thënë se gjatë vitit 2024 ishin partnerët ndërkombëtarë ata të cilët mbështetën fuqishëm aktivitetet e komisionit si Ambasada e Zvicrës e cila ka mundësuar sjelljen dhe përdorimin si ‘pilot-projekt (testim)’ të pajisjeve ‘teknologjisë LiDAR dhe RDT-Radarit Depërtues Tokësor, UNDP, Ambasada e Britanisë, KNKK etj.
”Gjatë 2024, kemi pranuar 17 Raporte Analitike, përfshirë po ashtu edhe të dhënat plotësuese për ‘pamjet satelitore/ajrore’ për lokacionin në Batajnicë (Serbi), të pranuar paraprakisht, si dhe kemi organizuar trajnimin e nevojshëm për ‘analizim të informacionit’”.
Në procesin e identifikimit, janë realizuar 124 raporte nga analiza shkencore e ADN-së, duke sjellë 38 identifikime të reja të viktimave.
”Në këtë numër të raporteve, përfshihen edhe 38 raporte për identifikime të reja (rastet nga lista e personave të zhdukur apo edhe rastet e dërguara për konfirmim identiteti), dhe që është dukshëm më i lartë se numri i identifikimeve në krahasim me vitet paraprake”, ka thënë Gara.
Po ashtu, 25 mbetje mortore janë dorëzuar për rivarrim, duke respektuar të drejtat e familjeve për të ditur fatin e të dashurve të tyre.
Në përpjekjet për të përparuar çështjen e personave të zhdukur, Komisioni ka kërkuar mbështetje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian dhe ka vazhduar të angazhohet në nivel ndërkombëtar për krijimin e një Komisioni të Përbashkët për Persona të Zhdukur ka thënë Kushtrim Gara për Dukagjinin.