Kompleksi “Rajska Banja”, dikur ka qenë një banjë termale e Kosovës, kurse organet ilegale të Serbisë kanë provuar që ta përvetësojnë duke u përpjekur që të investojnë, gjoja në bashkëpunim me kishën ortodokse.
Mirëpo, sipas informacioneve që ka siguruar Kosovapress, pikërisht në bodrumin e këtij kompleksi, më 25 shtator, është gjendur një automjet i tipit “Opel” me armatim, i cili është konfiskuar nga Policia e Kosovës. Hapësirën e këtij kompleksi, serbët e kishin shfrytëzuar edhe për pozicionimin ndaj sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, kur u vra pjesëtari i Policisë, Afrim Bunjaku.
Para një viti, më 5 shtator 2022, kur në veri ishin ngritur barrikadat dhe ishte pamundësuar çdo qarkullim, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, kishte vizituar “Rajska Banjën” së bashku me Petar Petkoviqin.
Danilo Delibasic, që dikur ka qenë drejtor i këtij kompleksi, një kohë ka qenë edhe shefi i organizatës së shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, e njohur si “Mbrojtja Civile”. Pikërisht, Delibasic ka vozitur automjetin Audi A6 me targa BG 955 JM, i cili më 23 qershor 2023 është kapur me një sasi shumë të madhe armatimi në Zveçan.
Të dhënat thonë se si rrallëherë një objekt i tillë ka qenë i lidhur me terroristët serbë. Edhe njëri nga terroristët e arrestuar më 26 shtator, Dusan Maksimovic, ka qenë punonjës i këtij kompleksi turistik. /KP
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) me asistimin e Policisë së Kosovës, e ka marrë nën kontroll dje kompleksin “Rajska Banja” në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Lexo dhe: AKP-ja me asistimin e Policisë merr nën kontroll kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se ky kompleks është pronë e ndërmarrjes “Trepça”.
Për më shumë informacione lexoni lajmin më poshtë: