Komuna e Ferizajt distancohet nga libri që e përshkruante negativisht ish-presidentin Thaçi

Me anë të një postimi në Facebook, Komuna e Ferizajt ka deklaruar se libri ishte botuar përmes operatorit ekonomik, pas kërkesës së autorit. Ata e kanë cilësuar si “të padrejtë” sulmin ndaj mbështetjes institucionale duke theksuar se pasha e veprimit bie mbi autorin

Komuna e Ferizajt e ka publikuar një reagim lidhur me botimin e librit “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës” i autorit, Muhamet Shabani. Ajo është distancuar duke e cilësuar rastin si shkelje e keqpërdorim të besimit nga ana e autorit.

Me anë të një postimi në Facebook, Komuna e Ferizajt ka deklaruar se libri ishte botuar përmes operatorit ekonomik, pas kërkesës së autorit.

“Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sqaron opinionin publik, se ka disa vite, që mbështet jo financiarisht, por përmes botimit vepra të autorëve të ndryshëm ferizajas, përmes operatorit ekonomik të përzgjedhur për këtë veprimtari. Edhe kjo vepër, është botuar përmes këtij operatori ekonomik, sipas kërkesës për mbështetje të parashtruar nga autori Muhamet Shabani. Përmbajtja, idetë dhe gjithë pjesa jo teknike që paraqitet në vepër, mirëfilli dihet se janë autorësi, rrjedhimisht edhe përgjegjësi e autorit për veprën përkatëse e që në këtë rast, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përkatësisht Komuna e Ferizajt, për përmbajtjen e librit “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës” me autor Muhamet Shabanin, DISTANCOHET PUBLIKISHT, duke shprehur gjithashtu keqardhjen tonë për të apostrofuarit në këtë vepër si dhe indinjatën e thellë për keqpërdorimin e mirëbesimit, përkrahjes e vullnetit tonë, nga autori, përmes këtij libri. Pra, referuar një tradite shumëvjeçare të mbështetjes së autorëve ferizajas, përmes botimit falas të veprave të tyre nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, rasti konkret paraqet një shkelje e keqpërdorim të rëndë të besimit e mirëkuptimit, qasje joprofesionale e gjuhë të papranueshme të përdorur nga autori”, thuhet në reagim.

Tutje, nga komuna e kanë cilësuar si “të padrejtë” sulmin ndaj mbështetjes institucionale, duke theksuar se pesha e veprimit bie mbi autorin. Ata theksojnë se gjuha e përdorur i bën të ndihen “jo mirë” dhe se rruga ligjore duhet ndjekur nga personat e përmendur në libër.

“Duke qenë se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes operatorit të saj ekonomik, ka qenë vetëm botuese, pra aspekti teknik e jo redaktore e këtij libri, konsiderojmë se është e padrejtë dhe e pavend, që të atakohet vullneti i mirë që ka institucioni për të mbështetur krijuesit e studiuesit ferizajas përmes botimit të veprës së tyre, porse në rastin konkret, e gjithë përgjegjësia mbi përmbajtjen e veprës, sikurse për çdo vepër tjetër të botuar nga secili botues, bie mbi autorin, redakturën dhe ekipin punues në përgatitjen e këtij libri. Gjuha e papranueshme, qasja joprofesionale e përdorur nga autori Muhamet Shabani në librin e tij, na bënë të ndihemi jo mirë, andaj duke shprehur indinjatën tonë, për këtë abuzim me gatishmërinë për mbështetje e vullnetin tonë, nga autori i librit,  inkurajojmë personat e apostrofuar në këtë libër, që të demantojnë publikisht të thënat në këtë libër, por edhe të ndjekin rrugën ligjore përkundrejt pohimeve e përfundimeve të nxjerra nga autori në librin e tij”, thuhet në njoftim.

Redaksia e Dukagjinit të premten e 30 qershorit është përpjekur të kontaktojë me Komunën e Ferizajit, ku i janë dërguar edhe disa pyetje lidhur me këtë rast, pra, para publikimit të reagimit zyrtar të saj, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.

Gjithashtu, as nga zyra per media e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) nuk janë përgjigjur lidhur me rastin ku ish kryetarët dhe kryetari aktual akuzohen në librin e botuar nga Komuna e Ferizajt e cila udhëhiqet nga PDK-ja.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika