Javën e kaluar vërshimet e mëdha kanë shkaktuar shumë dëme materiale në disa komuna të Kosovës.
Njëra nga to ishte edhe komuna e Skenderajt, ku shumë familje mbetën pa shtëpitë e tyre si shkak i përmbytjeve.
Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se është krijuar një fond përmes së cilit synohet t’u ndihmohet familjeve që janë prekur nga vërshimet e javës së kaluar.
“Me qëllim të përballimit të situatës së rëndë që është krijuar pas vërshimeve në komunën tonë, lus të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, bizneset, shoqatat bamirëse, fondacionet e gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të kontribuojnë në këtë fond përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore dhe do të bëhet rindërtimi i zonave të shkatërruara të Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura deklaroi se dëmi nga përmbytjet në këtë komunë është vlerësuar në 10 milionë euro.
Nura ka thënë se përmbytjet kanë dëmtuar jashtëzakonisht infrastrukturën publike, teksa shtoi se 11 ura janë shkatërruar totalisht.
Përveç në Skenderaj, dëme të mëdha pati edhe në komunën e Mitrovicës, atë të Klinës e Drenasit.