Kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Aliu, në takimin e kryetarëve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje më të fuqishme nga Qeveria.
Ai ka thënë se AKK ka kërkuar mbështetjen e Qeverisë që të ndahet buxhet shtesë për komunat, që të përballohen kostot financiare si rrjedhojë e Kontratave Kolektive e të cilat paguhen nga buxhetet komunale, gjë që nuk ka ndodhur.
“Na duhet bashkëpunim dhe koordinim më i madh në mënyrë që të kemi një qeveri lokale të fuqishme ashtu siç është e paraparë edhe në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ashtu siç meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë Aliu.
Lidhur me buxhetin komunal, është deklaruar që buxheti për komuna do të jetë rreth 660 milionë euro e që krahasimisht me vitet 2021 dhe 2020, shprehur në përqindje, sipas Aliut, rezulton se buxheti aktual është më i vogël sesa në dy vitet paraprake.
“Gjë që konsideroj se është e padrejtë kur dihet se niveli lokal është porta e parë e çdo kërkese qytetare, kërkesat janë vazhdueshëm në rritje, andaj edhe Qeveria duhet të shtojë buxhetet për komunat, duke ngritur substancialisht fondet për investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet që të mundësohet përfshirja më e gjerë e kërkesave qytetare në planifikimet tona investive”, shtoi ai.
Ai është shprehur i bindur se shpërndarja buxhetore për kategorinë e investimeve kapitale për komunat, “nuk është e barabartë dhe e drejtë”.
“Komunat e mëdha, janë fare pak të përfshira në projektet kapitale të ministrive përkatëse, flas për projektet e reja të planifikuara në kuadër të buxhetit 2023”.