Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga Ministria e Arsimit që të nisë procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave Kosovës.
Në një reagim të AKK-së thuhet se kjo vonesë “tepër e panevojshme” mund të shkaktojë probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor.
“Viti i ri shkollor për çdo vit nis dhe është i planifikuar të nis njëjtën datë. Së këndejmi vonesat e tilla në shpërndarjen me kohë të teksteve mësimore janë të pakuptimta, por edhe të papranueshme”, thuhet në reagim.
“Asnjë justifikim në këtë vonesë nuk i intereson askujt, e më së paku nxënësve dhe arsimtarëve tanë”, thuhet tutje.
Ndryshe, përmes një udhëzimi administrativ, Ministria e Arsimit ka paraparë kthimin e teksteve shkollore nga nxënësit në fund të vitit mësimor, në mënyrë që ato pastaj të barten te gjenerata tjetër.
Nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ, Ministria e Arsimit ka detyruar të gjithë nxënësit që t’i kthejnë librat për t’i përdorur gjeneratat pasuese.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka sqaruar se për vitin shkollor 2023-2024, nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të pajisen me tekste të reja shkollore.