Për herë të parë në komunën e Istogut, do të mbahet koncert i muzikës klasike, organizim ky i inicuar nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Elianë Blakaj.
Në këtë koncert do të performojë klarinetisti József Terék i cili do të interpretoj vepra të ndryshme.
“Për herë të parë në Komunën e Istogut po organizojmë Koncert të Muzikës Klasike me solistin József Terék. Ai vjen nga Hungaria në Istog ku do të performojë vepra të ndryshme që prezantojnë kulturën Hungareze”.
“Terék ka më shumë se 28 vjet që është në skenë dhe ka performuar në pjesë të ndryshme të botës: Europë, Amerikë, Afrikë dhe Azi duke përfaqësuar Hungarinë në plot 38 shtete të botës nëpër Festivale, Teatro, Universitete, Gara kompozitorësh të nivelit të lartë”, ka shkruar drejtoresha Blakaj, në postimin e saj në rrjetin social Facebook
Më tutje ajo ka falenderuar disa personalitete të cilët kontribuan në finalizimin e gjithë këtij koncerti.
“Si Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në emër të Komunës së Istogut shfrytëzoj rastin të falenderojë Drejtoreshën e Festivalit ChopinPiano Fest Prishtina, Besa Luzha, Aktivistin e shoqërisë civile Avi Gashi me përkrahjen e të cilëve realizuam këtë koncert si dhe Ambasadën Hungareze për përkrahjen dhe mundësimin e këtij koncerti Hungarian Embassy in Pristina”, ka shkruar drejtoresha.
Ky koncert pritet të mbahet të shtunën në Shtëpinë e Kulturës “Adem Jashari”, në Istog, duke filluar nga ora 18:00.