Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në koordinim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Ferizajt dhe nën autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, mbi bazën e disa informacioneve që ka pranuar rreth dukurive negative të nxënësve dhe personave të tjerë në shkolla dhe përreth tyre, që në fillim të muajit shkurt 2022, kishte nisur një aksion të koduar “Siguria në shkolla 2022”.
Në kuadër të këtij plani, siç thuhet në njoftim, pas disa kontrolleve të zhvilluara nga hetues rajonalë me rroba civile, të mbështetur edhe nga njësi të tjera, kanë ndaluar dhe kontrolluar shumë nxënës në afërsi të shkollave dhe persona të tjerë në rrugë të ndryshme të qytetit, ndërsa janë gjetur armë, 40 thika, boksa metali, etj.
Sipas njoftimit të Policisë, “Janë bastisur dhe kontrolluar disa lokale, shtëpi dhe objekte përcjellëse, ku si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: pesë armë zjarri (pistoleta), armë të gjata gjysmautomatike dy, sasi e municionit, 40 copë thika kryesisht të nxënësve të shkollave të mesme, boksa metali – 10 copë, te nxënësit e shkollave të mesme, mulli për bluarje të marihuanës- gjashtë copë, shufra metali- katër copë, elektro shok – një copë”.
Ndërsa, janë ndaluar dhe shoqëruar në polici, 40 persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore të Ferizajt.
“Gjithashtu, janë ndaluar dhe shoqëruar në polici edhe 20 persona me dyshimin se kanë shitur narkotikë (marihuanë) dhe ndaj tyre janë iniciuar raste penale për Prokurorinë Themelore të Ferizajt. Aksioni i policisë do të vazhdojë edhe në etapat e tjera, nga muaji shtator-2022, me fillimin e procesit të mësimit, me synim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla”, thuhet ndër të tjera në njoftim.