Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor në Kamenicë, gjatë hetimeve të një rasti të dhunës në familje, ka zbuluar se një serb me inicialet N.S. nga fshati Boscë në komunën e Kamenicës, posedonte dy armë automatike AK47 pa leje.
Siç ka njoftuar Policia, hetimi nisi që nga e hëna dhe armët e paligjshme u gjetën gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë dhe objektet e të dyshuarit.
Prokuroria e shtetit ka lejuar konfiskimin e këtyre armëve automatike, të cilat do të paraqiten si dëshmi gjatë gjykimit.
“Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Kamenicë, me datën 04.12.2023 gjatë hetimit të një rasti të dhunës në familje, ka gjetur prova se i dyshuari N.S. (viti i lindjes 1969, mashkull kosovar serb) nga fshati Boscë, komuna e Kamenicës, posedon armë pa leje. Me leje të prokurorit të shtetit ka kryer kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar dy (2) armë automatike AK47, të cilat janë konfiskuar dhe do të përdoren dëshmi për gjykatën”, thuhet në njoftim të Policisë.
Gjithashtu, siç ka bërë të ditur Policia, pasi është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndaj të dyshuarit N.S. do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe, në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se të hënën në Kamenicë janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë pasi në shtëpinë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy armë automatike AK-47 pa karikatorë dhe municion.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.