Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Britaninë e Madhe gjatë një takimi me ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas një njoftimi nga Kuvendi, gjatë takimit, Konjufca theksoi se Kosova mbështetet në një partner të pazëvendësueshëm si Britania e Madhe.
“Kryetari Konjufca e njoftoi ambasadorin për çështje të aktualitetit, duke theksuar se Republika e Kosovës është e interesuar që ta ketë vazhdimisht përkrah një aleat të pazëvendësueshëm si Britania e Madhe, në synimin e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të vazhdueshëm, si dhe integrimeve nëpër strukturat dhe organizatat ndërkombëtare.
Mbështetja e Britanisë së Madhe për Kosovën është e hershme dhe tepër e rëndësishme, prandaj dhe kryetari Konjufca shprehu mirënjohjen ndaj këtij kontributi të Britanisë së Madhe, duke kërkuar që të vijohet sa më intensivisht tradita e bashkëpunimit të ngushtë”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves e rikonfirmoi angazhimin e Britanisë për të mbështetur Kosovën në sfidat që e presin. Ai theksoi se mbështetja britanike do të vazhdojë dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Ambasadori Jonathan Hargreaves e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, e njëkohësisht theksoi se mbështetja e Britanisë së Madhe në drejtim të Kosovës do të vazhdojë, si dhe shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e tij të bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, për të avancuar në çdo drejtim raportet midis vendeve tona”, thuhet më tej në njoftim.